Mazhoranca është e vendosur për të ndëshkuar gjyqtarët e prokurorët e ngelur në veting, si dhe ata që janë me probleme, por që ende nuk kanë hyrë në skaner nga KPK. Kryeministri Rama paralajmëroi të mërkurën në sallën e Parlamentit se do ketë ndryshime ligjore për t’u dhënë fund skandaleve në sistemin e drejtësisë. Gazeta ka mësuar detaje nga kjo lëvizje e kryeministrit.
Shefi i qeverisë ka vënë në lëvizje anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe juristët e PS, duke kërkuar që të shihen të gjitha mundësitë e rishikimit të ligjeve. Një burim nga selia rozë i tha gazetës se dhe vetë deputetët janë konfuzë mbi planin e kryeministrit, megjithatë mësohet se janë disa versione në tavolinë që janë duke u shqyrtuar. Mund të ketë ndryshime në ligjet aktuale, por dhe hartimin e një ligji të ri. Gazeta mësoi nga Komisioni i Ligjeve se janë 3 variante që po shihen me shumë kujdes. Varianti i parë është ndryshimi i ligjit të vetingut. Duke qenë se gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur deri më tani ja kanë hedhur paq, synohet që të bëhet një përcaktim te dispozitat transitore të ligjit. Momentalisht në ligj thuhet se ai nuk ka për qëllim ndëshkimin penal. Pritet që të hiqet kjo pjesë dhe të bëhet një përcaktimi i tillë që “subjekti i rivlerësimit pas shkarkimit shkon për ndjekje penale”. Gazeta ka mësuar se duke qenë se Gjermania e ka vënë kusht hetimin dhe arrestimin e të ngelurve në veting, ndryshimi në ligj do të ndodhë patjetër.
Megjithatë, është duke u punuar nëse ka nevojë për të ndërhyrë në Kushtetutë dhe në ligje të tjera. Një tjetër plan që synon Rama është që të ndëshkohen edhe gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë hyrë ende në veting. Sipas tij, ata e dinë që do ngelin dhe po bëjnë batërdinë. Plani i PS këtu është të hartohet një ligj special, ku të bëhet një ndarje mes vetingut dhe hetimit. Momentalisht janë 800 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë dorëzuar formularët te komisioni i vetingut. Synimi është që të bëhet një vlerësim paraprak për të gjitha dosjet. Momentalisht janë dhe rreth 650 gjyqtarë që nuk kanë hyrë në veting. Përmes një ligji të posaçëm synohet që të mundësohet hetimi i të gjitha dosjeve dhe aty ku ka probleme të nisin menjëherë hetimet, pa pritur derisa të mbyllet vetingu. Dhe versioni i tretë është ndërhyrja në Kodin Penal. Hetimi i emrave që nuk janë futur në veting mund të mos bëhet me ligj më vete, por të bëhet me ndryshime në ligjin e vetingut dhe në Kodin Penal, ku të përcaktohen dispozitat përkatëse. Mazhoranca ky dy synime: Të hetohen emrat e ngelur në veting, si dhe ata gjyqtarë e prokurorë që kanë probleme me pasurinë, por që s’kanë dalë para KPK. Për të ngelurit në veting situata është më e thjeshtë, pasi te dispozitat transitore mund të vendoset përcaktimi që kushdo ka kryer vepër penale ndiqet penalisht, njësoj si me ligjin e dekriminalizimit. Ndërsa sa i takon hetimit të emrave që janë në detyrë, shihet me shqetësim nga deputetët, pasi ka nevojë për shumë ndryshime. Duke qenë se që të gjithë deklarojnë pasuritë çdo vit dhe po ashtu kanë bërë deklarimin në veting, mund të bëhet një “veting paralel”. Mbetet të shihet nëse kjo do bëhet nga prokuroria, nga ndonjë komision tjetër apo organet e vetingut. Por e sigurt është se shumë shpejt PS do dalë me një paketë ndryshimesh për të ndëshkuar të ngelurit në veting dhe për të hetuar ata që nuk kanë hyrë në veting, por kanë probleme. /Kliti Topalli