Vendimi i mazhorancës për t’i shkuar deri në fund shkarkimit i ka futur tmerrin presidentit Ilir Meta. Sot Komisioni i Venecias do të vendosë për fatin e tij, por Meta dje ka dhënë sinjale se do të marrë një goditje shumë të fortë. Gjatë një interviste të dhënë për “Open”, Meta shpërtheu në akuza të forta në drejtim të Komisionit të Venecias, duke e akuzuar se po fut hundët në punët e brendshme të vendit.
“Do të thotë që Komisioni i Venecias t’i qëndrojë kompetencave të tij lidhur me çështjen e Kushtetutës, lidhur me çështjen e ligjshmërisë. Të mos fusë hundët në kompetencat e OSBE/ODIHR-it, sepse gjykatës ndërkombëtar i zgjedhjeve është OSBE/ODIHR-it. Nuk mund të jetë as Venecia dhe askush tjetër dhe OSBE/ODIHR-i ka pasur këtu një mision me 200 e ca veta për gati 3 muaj përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve dhe ka bërë një raport të qartë dhe përfundimtar, i cili është referenca për gjithçka. Për situatën politike, për krizën, për votimet, për çështjet ligjore të votimeve dhe të Kodit Zgjedhor, për çështjet e mediave, për gjithçka. Kjo është një histori e mbyllur”, tha Meta.
Meta kërcënon Komisionin e Venecias Por frika e shkarkimit bëri që presidenti Ilir Meta të kërcënonte hapur Komisionin e Venecias. Ai u shpreh se nëse ata vendosin sot kundër tij, do i drejtohet Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian. “Jo vetëm aq, por në varësi me atë që do të shprehë Komisioni i Venecias unë do të vazhdoj aksionin tim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Parlamentin Europian, sepse do ta çojmë në vend edhe integritetin e Komisionit të Venecias në rast se Komisioni i Venecias cenon integritetin e vet.
Del nga kompetencat e veta dhe hyn në lojëra politike për të thelluar një krizë politike në këtë vend”, u shpreh Meta. Më tej kreu i shtetit u shpreh se raporti përfundimtar që do nxjerrë sot Komisioni i Venecias nuk ka asnjë rëndësi. “Komisioni i Venecias ka zero rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. vendimi apo mendimi i Komisionit të Venecias ka të bëjë me integritetin e Komisionit të Venecias, nuk ka të bëjë me integritetin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe me raportin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Kushtetutën e vendit tim. Kaq”, tha Meta.
Më tej, presidenti Ilir Meta u shpreh se raportin paraprak që nxori Venecia ka tejkaluar kompetencat e saj, duke shtuar se nuk mund të përcaktojnë nivelin e sigurisë në vend. “Ata padyshim që i kanë tejkaluar kompetencat, sepse nuk kanë kompetenca ata për të përcaktuar nivelin e sigurisë në Republikën e Shqipërisë, as të sigurisë publike, as të sigurisë kombëtare. Ata nuk janë institucion i specializuar për çështje të sigurisë. Ata janë për çështjen e Kushtetutës dhe për çështjen e ligjit. Dhe te Kushtetuta ata duhet të thonë: Presidenti ka shkelur fjala vjen këtë nen apo ka shkelur këtë ligj, apo ka shkelur këtë afat kushtetues”, tha ai. Kreu i shtetit theksoi më tej edhe kush janë kompetencat e Komisionit të Venecias. “Unë nuk pranoj asgjë që nuk qëndron dhe që nuk ka lidhje me misionin e tyre. Nëse ata duan të japin një material, një ushqim propagandistik dikujt, le t’ia japin, punë e tyre. Unë kam Kushtetutën. Ja më thoni ju mua, a keni dëgjuar që Komisioni i Venecias është ekspert për çështje të sigurisë? Dhe si mund të përcaktosh shkallën e sigurisë me tre veta që vijnë këtu tre muaj pas zgjedhjeve në një situatë krejt tjetër dhe të thonë se si ishte situata. A ishte kaq e rëndë apo nuk ishte kaq e rëndë? Këto janë muhabete kot. Ata kanë Kushtetutën, ata kanë legjislacionin, ata kanë Konventën Europiane për të Drejtat të Njeriut, që e kanë për kompetencë që ta mbrojnë dhe ta respektojnë. Kanë vendimet e Gjykatës së Stasburgut. Për këtë çështje janë ata. Nuk kanë kompetencë të merren me çështjet e OSBE/ODIHR-it, sepse kjo është edhe një mungesë etike dhe një mungesë respekti për institucionet e tjera demokratike”, tha Ilir Meta. Por kreu i shtetit duket se është në panik nga një marrëveshje e dytë Rama-Basha pasi ka kërkuar që palët të ulen në tryezë dhe çdo gjë të dokumentohet në mënyrë që të mos ketë pazare të fshehta. /Elisjeda Kiko