Policia e Shtetit ka ndaluar tre protestues të Unazë së Re me akuzën e bllokimit të qarkullimit në shenjë proteste kundër zgjerimit të rrugës që prek banesat e tyre. Ata janë Ilir Katiraj 51 vjeç, Gramoz Shehu 54 vjeç dhe Skënder Doda 56 vjeç, banues në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re.
Policia deklaron se tre banorët e Unzës së Re janë arrestuar pas ndryshimeve të Kodit Penal pasi bllokuan rrugën në protestën e organizuar pasditen e djeshme, e cila vijon prej një viti.
“Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishje e qetësisë publike” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”janë tre akuzuat që janë ngritur kundër tre të arrestuarve.
Policia thekson se me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i qarkullimit rrugor duke cenuar të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve dhe të mjeteve të transportit, do të përballet me pasojat e shkeljes së ligjit.
Arrestimi ka sjellë reagimin e banorëve që janë zhvendosur duke protestuar te Drejtoria e Policisë së Tiranës duke kërkuar lirimin e tyre, ndërsa tubimi është shoqëruar me tensione, teksa njëri prej tyre ka thyer xhamin e derës kryesore, por policia sillet si kukull, nuk vepron për një vepër më të rëndë, sulm mbi objektet e rëndësisë së veçantë dhe dhunë ndaj policisë.