Komentatori sportiv Andin Lokaj, i cili disa javë më parë krijoi polemika pas deklaratës në një televizion kosovare teksa u shpreh se nuk e do Shqipërinë. Sipas tij Kosova e ka kombëtaren, shtetin dhe flamurin e vet. Kjo deklaratë revoltoi jashtë mase tifozët shqiptarë, të cilët nuk i kursyen reagimet e ashpra ndaj Lokajt.
Teksa komentatori është shpallur “non grata” nga mijëra shqiptarë anë e mbanë botës, drejtuesit e Federatës së Kosovës, i kanë befasuar të gjithë, teksa së fundmi kanë vendosur ta punësojnë Andinin si spiker për të ndezur stadiumin “Fadil Vokrri”, para ndeshjes dhe gjatë saj. Lajmi konfirmohet nga vetë komentatori i njohur, në emisionin “Imazh” në RTK, teksa u shpreh: “Ta shohim se si do të shkojë. Nuk e kam provuar kurrë atë detyrë. Në bashkëpunim me FFK-në do ta shohim se a do t’ia dalim kësaj pune”. Testi i tij i parë do të jetë nesër ndaj Gjibraltarit. “Dardanët” do të përballen me Gjibraltarin në takimin miqësor që do të startojë në orën 18:00.