Në fund të vitit 2017, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, nisi zyrtarisht verifikimin e trefishtë të mbi 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësisë profesionale. Deri më tani janë verifikuar ¼ e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nga të cilët mbi 80 janë shkarkuar nga detyra kryesisht për shkak të pasurive të paligjshme, por edhe për lidhjet me krimin dhe vendimet arbitrare, ndërsa kanë dhënë 21 subjekte, për t’i shpëtuar Vetingut.
Që nga fillimi i procesit të rivlerësimit dhe deri më sot, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka referuar në prokurori vetëm dy raste, ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj si dhe ish-kryeprokurorin e Tiranës, Petrit Fusha. “KPK ka referuar pranë organeve kompetente dy raste, ai i z. Besnik Imeraj dhe z. Petrit Fusha. Ju garantojmë se edhe në vijimësi të punës sonë, nëse nga hetimi administrativ për cilindo subjekt rivlerësimi që do të evidentohen elementë të veprës penale, Komisioni, do t’i referojë pranë organeve kompetente sipas legjislacionit në fuqi”, thotë KPK për Shqiptarja.com.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi për të dy subjektet procesin e kontrollit, por ata dhanë dorëheqjen para se të dinin para Komisionit të Vetingut, për t’u njohur me rezultatet e hetimit. Me sa duket, trupat gjykuese të KPK kanë konstatuar paligjshmëri dhe elemente të veprave penale gjatë verifikimit të pasurisë së sy subjekteve, ndaj i kanë referuar materialet në prokurori. Ndërkaq, në prokurori si i pandehur përfundoi edhe ish-anëtari Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Thanza kishte fshehur një dënim në Itali për grabitje dyqanesh, fakt i konstatuar nga Komisoni i Pavarur i Kualifikimit. Më pas prokuroria kërkoi 1.6 vite burg për ish-gjyqtarin Thanza, ndërsa gjykata e dënoi me 9 muaj burg, dënim i cili u dënua me 18 muaj shërbim prove. Pra, dy vjet nga veprimi i ligjit të Vetingut, kemi vetëm të dy subjekte të kallëzuara dhe një të dënuar. Ky bilanc negativ ka detyruar Bundestagun gjerman t’i vendosë kusht Shqipërisë ‘fillimin e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e Vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme” pas çeljes së negociatave.
I gjithë procesi i Vetingut është ndërtuar vetëm për një qëllim: Identifikimin dhe largimit nga sistemi të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, pa asnjë pasojë penale. Për ndëshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar janë parashikuar organet e SPAK-ut, të cilat do të veprojnë të pavarura nga Vetingu, ndonëse mund të marrin indicie për të nisur hetime. Madje, Kushtetuta e ndryshuar në korrik të vitit 2016, në pikën 2 të nenit ‘DH’ ndalon përdorimin e provave të gjetura gjatë procesit të Vetingut në një proces penal ndaj gjyqtarit apo prokurorit./Adriatiki Doci/ Shqiptarja.com