Gjykata Kushtetuese pritet që të marrë jetë shumë shpejt, pasi brenda 30 ditësh do të ketë dy anëtarë të rinj. Ditën e djeshme Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i përcolli Presidentit të Republikës listat me renditjen e 6 kandidatëve për dy vende vakante në Kushtetuese. Anëtarët e rinj do të zgjidhen mes kandidatëve të renditur në tre vendet e para: Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muçi dhe Fiona Papajorgji.
Sipas ligjit, brenda 30 ditësh kreu i shtetit duhet të zgjedhë anëtarin në një nga 3 emrat e parë të listës. Në rast se nuk shprehet brenda këtij afati, atëherë kandidati i parë në listë konsiderohet i emëruar. Ndërkohë, burime pranë KED bënë me dije se në ditët në vijim pritet t’i përcillen listat e kandidatëve edhe Parlamentit për zgjedhjen e dy anëtarëve të tjerë. Por me ngritjen e Kushtetuese duket se eliminohen edhe pengesat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyra, pasi është kjo gjykatë e cila në finale vendos për fatin e tij. Pak ditë më parë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëri pikëzimin paraprak, sa i takon kandidatëve të Presidencës për vakancën e shpallur nga Presidenti për datën 07.02.2018, ku në vend të parë qëndron Arta Vorpsi me 89.642 pikë. Në vend të dytë është Elsa Toska me 85.428 pikë, ndërsa në vend të tretë Besnik Muçi me 81.928 pikë. Kujtojmë që për Besnik Muçin ka një ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe kërkohet shkarkimi i tij nga Komisioneri Publik. Ndërkohë, sa i takon kandidatëve të Kuvendit për vakancën e shpallur nga ky institucion për datën 12.02.2018, në vend të parë qëndron Arta Vorpsi me 89.642 pikë.
Në vend të dytë është Elsa Toska me 85.428 pikë, ndërsa në vend të tretë Besnik Muçi me 81.928 pikë. Sakaq, sa i takon kandidatëve të Presidencës për vakancën e shpallur nga Presidenti për datën 04.03.2019, në vend të parë qëndron Arta Vorpsi 89.642 me pikë. Në vendin e dytë qëndron Fiona Papajorgji me 88.785 pikë, ndërsa në vendin e tretë Elsa Toska 85.428 me pikë. Ndërkohë, sa i takon kandidatëve të Kuvendit për vakancën e shpallur nga ky institucion për datën 04.03.2019, në vend të parë Arta Vorpsi me 89.642 pikë. Në vend të dytë qëndron Fiona Papajorgji me 88.785 pikë, ndërsa në vendin e tretë qëndron Elsa Toska me 85.428 pikë. Pra, kjo do të thotë se me zgjedhjen e katër emrave, shkon në pesë numri në total i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke qenë se anëtares Vitore Tusha, të cilës i ka mbaruar mandati, ka të drejtë ta ushtrojë detyrën.