Nga Skënder Minxhozi
Në orët e fundit kryeministri Edi Rama ka dalë dy herë para shqiptarëve për të davaritur retë e tymit që u ngritën nga vendkalimet e pagesave në tunelin e Kalimashit. Ka bërë më në fund atë që, në kushte shumë më rutinore dhe normale, duhej ta kishin bërë ministrat e tij të financës dhe punëve publike muaj më parë. Është dashur dhuna dhe përplasjet e dënueshme të protestuesve kuksianë, që të ketë një moment kthjellimi dhe sqarimi, rreth arsyeve që çuan në vënien e tarifave për kalimin në Rrugën e Kombit.
Protesta në tunelin e Kalimashit mori përmasa qartësisht antiligjore, të cilat nuk mund të gjejnë asnjë justifikim, as tek paqartësia që krijoi koncesioni i rrugës së Kombit, as tek vonesat e lexueshme të qeverisë në sqarimin dhe kontaktet me komunitetet që preken nga ky koncesion. Djegia dhe shkatërrimi nuk duhet të jenë asnjëherë në menunë e protestave në një vend normal. E megjithëse ne vështirësisht quhemi një shtet normal, sipas standartit europian të të qenit i tillë, sërish ajo që pamë në Kalimash të shtunën, ishte një shfaqje që e kishim harruar, që nga kohë që s’mbahen mend.
Një parim i pashkruar i mjekësisë thotë se është më mirë të parandalosh, sesa të mjekosh. Dhe qeveria duhet ta kishte parandaluar atë që ndodhi në protestën e fundit. Më së paku duhej të ishte angazhuar që të shuante ato flakë që po ndizeshin gradualisht, pas njoftimit për listën e tarifave të rrugës, të cilat tani na del se do të rishihen me autoritetet lokale të Kukësit. Të paktën sa i përket banorëve lokalë, të cilët ishin edhe epiqendra e protestës.
Rruga e Kombit po bjerret në sytë e të gjithëve atyre që e frekuentojnë. Po shemben skarpatet e pasistemuara, po dëmtohen ndarëset e korsive, po degradon asfalti dhe vijojnë të mbeten të papërfunduara veprat e artit, urat e mbikalimet që s’u bënë kurrë nga qeveria paraardhëse. Qindra milion euro korrupsion që ajo rrugë mban në arshivat e saj me firmën e Berishës e Bashës, janë zanafilla e kësaj situate anormale dhe absurde.
Në këto kushte është e qartë se ky projekt prej një miliard eurosh, rrezikon të çojë dëm edhe koston që u përdor për ta ndërtuar, ndërkohë që politika në Tiranë luan lojën e pështirë të tipit “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Rrugë të përmasave si kjo e Kombit pa pagesë nuk ka, edhe Berisha, edhe Rama, edhe Basha e dinë mirë këtë detaj. Mungesa e sinqeritetit në këtë pikë është shkak madhor i tensionit dhe reagimit popullor.
Edi Rama gjen papritur në axhendën e tij të punës një problem që as e kishte parashikuar se do të ndodhte dikur. Është pikërisht aftësia për të parashikuar atë që nuk shihet ose që ndodhet e fshehur mes rreshtave, ajo që e dallon politikanin nga njeriu i zakonshëm. Kush kujton çfarë ndodhi me çmontimin e armëve kimike siriane, kur presioni i protestuesve e detyroi ta anullojë nismën e ndërmarrë së bashku me amerikanët, edhe në këtë rast Rama po korr frutat e hidhura të një komunikimi të munguar dhe difektoz me publikun.
Shumëkush e kujton sesi pasi ne vërshuam në rrugë për t’i thënë jo helmeve të Asadit, Italia i mori stokun e tyre në Jug të gadishullit Apenin dhe nisi t’i zbërthejë pa asnjë reagim popullor. Kryeministri shqiptar duhet të mësojë nga ai leksion i hidhur moskomunikimi me shqiptarët. Tarifat e një rruge thellësisht strategjike e me impakt ekonomik për Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ka kushtuar më shumë se asgjë e ndërtuar në historinë e shtetit shqiptar, nuk mund dhe nuk duhej të ishin një akt banal burokratik.
Pikërisht në emër të mungesës së transparencës dhe korrupsionit masiv që ai projekt mbart mbi vete nga e shkuara, qeveria aktuale duhet të kishte përdorur të gjitha mjetet e saj të komunikimit dhe kontaktit me komunitetet lokale, biznesin e qytetarët shqiptarë, për të shpjeguar sesa dhe sesi do të paguhej për ta mbajtur në jetë Rrugën e Kombit.
Ky shtet ka dhjetra burokratë e zyrtarë, drejtorë e ministra, që paguhen për të llogaritur kostot e tarifat e të gjitha llojeve. Është krejt pa vend që rolin e llogaritarit ta bëjë tani kreu i qeverisë, pasi ka dalë tymi në Kalimash, meqë këta anonimë zyrash apo anëtarë qeverie nuk janë urdhëruar të bëjnë transparencë për publikun atëhere kur duhej ta bënin. E kjo bën që Edi Rama të marrë edhe një herë mbi vete tani, kostot e heshtjes dhe të vonesës. Ashtu si në rastin e armëve kimike, kur e mbajti të fshehtë nga të gjithë atë që fliste orë e çast me ambasadorin amerikan. Këtu qëndron epiqendra e krizës së tarifave në rrugën që na lidh me Kosovën, e që sot duhen negociuar nga e para, dy vjet pasi janë zbardhur në letër.