Pasditen e sotme organet tatimore kryen një kontroll rutinë në redaksinë e Syri.net, ndërkohë që drejtuesit e kësaj medie u hodhën në sulm duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për presion dhe shantazh. I pyetur rastin në fjalë, kryeministri Rama mbrëmjen sotme deklaroi në ‘Real Story’ se është i kënaqur që organet tatimore kanë filluar që të hetojnë origjinën e parave me të cilat janë ndërtuar mediat në Shqipëri, pa përjashtim.
“Unë nuk jam drejtori i tatimeve, por jam i kënaqur të dëgjoj që organet tatimore kanë filluar të hetojnë origjinën e parave me të cilat janë ndërtuar mediat me investime kolosale që po bëjnë. Të gjitha mediat pa përjashtim” tha ai.
Syri.net u vendos nën mbrojtjen e Presidentit dhe opozitës pas lajmit të rremë për tërmetin ku Edi Rama tha se do të merren masa për pasojat që solli duke nxjerrë në rrugë të gjithë qytetarët e Tiranës. Prokuroria nis hetimet për rastin e përhapjes së panikut duke marrë në pyetje gazetarin që bëri lajmin dhe pjesën tjetër të redaksisë.