Mazhoranca qeverisëse është e vendosur për të shkarkuar presidentin Ilir Meta nga detyra. Pak ditë më parë Komisioni i Venecias i dërgoi Kuvendit një raport paraprak, me anë të së cilit vinte në dukje faktin se kreu i shtetit shkeli Kushtetutën, kur anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Por për socialistët, ky raport edhe pse paraprak, nuk ka asnjë dyshim që presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve.
Ka qenë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili gjatë një prononcimi për mediat deklaroi dje se do të jetë i pranishëm në seancën plenare të Komisionit të Venecias për të treguar, sipas tij, shkeljet kushtetuese të kreut të shtetit. “Në të drejtën kushtetuese shkelja është gjithmonë e rëndë sa herë kryhet me dashje. Kjo jo është e rëndë, por është shumë e rëndë. Vetë Ilir Meta e di që ka bërë një shkelje të rëndë të Kushtetutës”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, socialisti Taulant Balla komentoi edhe deklaratat e dhëna nga ana e Ilir Metës se “Luani i Venecias” nuk ka frikë nga Venecia, teksa mendoi t’i japë atij një këshillë miqësore si ish-aleat i Partisë Socialiste. “Hiq dorë nga cenimi apo vlerësimet negativiste përkundrejt institucioneve të gjithë pranuara ndërkombëtare si të paanshme”, u shpreh ai. Ndërkohë, Balla deklaroi se Partia Socialiste nuk do të marrë parasysh propozimin e Partisë Demokratike për strukturë të re për reformën zgjedhore, madje as kërkesën e opozitës së re për ndryshim të sistemit. “PD është mësuar të vendosë kushte që as vetë nuk i kupton. Sot Shqipëria ka detyrimin të plotësojë rekomandimet e ODIHR. Çështje që lidhen me sistemin zgjedhor nuk kanë të bëjnë fare me rrugën europiane të Shqipërisë, janë teka dhe tekanjozë”, tha ai. Sakaq,
Taulant Balla është i bindur që kushtet e fazës së parë të vendosura nga Bundestagu gjerman do të bëhen realitet brenda 2019. “Dita jonë e pavarësisë do të na gjejë me të paktën 5 anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, që është kuorumi i nevojshëm për funksionalitetin e kësaj gjykate”, nënvizoi Balla. Për vendet skeptike si Franca dhe Holanda, PS i bën thirrje BE që të mbajë përgjegjësi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi sipas tij integrimi nuk duhet të mbetet peng i problemeve të brendshme.