Thellohen përplasjet mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut demokrat Lulzim Basha. Strategjia që po ndjek opozita përballë qeverisë ka shkaktuar gjithmonë pakënaqësi brenda PD e sidomos te ish-kryeministri Berisha. Në një intervistë javën që lamë pas, ai deklaroi hapur se kërkon protesta të fuqishme dhe mosbindje civile, por nuk i përgjigjet Lulzim Basha.
Sipas burimeve, një gjë e tillë ka bërë që marrëdhëniet mes tyre të ftohen ndjeshëm ditët e fundit. Për shkak të presionit amerikan, Basha është tërhequr nga revoltat, por kjo nuk po kapërdihet nga Berisha. Ajo që e fakton më së miri se ka përplasje mes palëve është mbledhja e së dielës e Bashës me ish-grupin parlamentar demokrat. Përtej atyre që janë transmetuar në media, sipas burimeve të sigurta të gazetës, ish-kryeministri Berisha ka qenë i vetmi që nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e ish-grupit parlamentar. Berisha gjatë të dielës nuk ka pasur asnjë angazhim tjetër apo probleme që të bëhej pengesë për pjesëmarrjen në mbledhjen e thërritur nga Basha. Gazeta ka mësuar se shumë ish-deputetë qënjihen si mbështetës të Sali Berishës kanë shpërthyer në kritika të forta ndaj Bashës, ku i kanë kërkuar që të mos hiqet dorë nga protestat. Shumë prej tyre janë shprehur se një marrëveshje e re Rama-Basha do e dëmtonte më shumë kauzën që PD ka nisur që nga muaji shkurt. Ish-deputetë janë shprehur në mbledhjen e së dielës se protestat janë e vetmja zgjidhje për të plotësuar kauzën e tyre për rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit Rama. Por për vazhdimin e aksionit opozitar ende nuk është vendosur asnjë datë fikse, për shkak se partitë opozitare kanë rënë dakord që të mos ketë asnjë reagim deri në 18 tetor, datë kur jepet edhe vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
\
Pas kësaj date, opozita ka paralajmëruar protesta, duke dalë me një kauzë të re. Por planet e partive opozitare për protestë nuk janë pranuar nga Basha, i cili e ka bërë të qartë gjatë mbledhjes të së dielës se protestat nuk janë zgjidhje për daljen e vendit nga kriza politike. Me këtë deklaratë, Basha i ka dhënë një goditje të fortë ish-kryeministrit Berisha, i cili prej kohësh ka bërë thirrje për protesta të dhunshme dhe destabilizim. Përmes kësaj deklarate, Basha lë të kuptohet se nuk do të mbështesë partitë e tjera opozitare në aksionin e tyre kundër qeverisë. Berisha deklaroi se opozita nuk duhet të humbasë kohë dhe të kthehet te protestat. Por sipas tij, nuk duhet të jenë si protestat e para 30 qershorit, por duhet të jenë të fuqishme. Ai ka kërcënuar kryeministrin Edi Rama disa herë, duke u shprehur se qytetarët do e detyrojnë që të kërkojë azil jashtë vendit. Sipas ish kryeministrit, largimi i Ramës nga qeveria do të ndodhëshumë shpejt, para zgjedhjeve të 2021. “Unë mendoj se shqiptarët janë të ngritur dhe unë pres ndryshime të fuqishme. Pakënaqësia ndaj Edi Ramës është në rritje dhe shumë e madhe. Ajo pakënaqësi do shpërthejë. Opozita do jetë në krye të saj, këtu nuk mund të marrim periudha të përkohshme. Edi Rama do largohet në mënyrën më të sigurt me faqen e zezë për ato që i ka bërë Shqipërisë. Zoti Rama do largohet me bisht në shalë. Vala tjetër e protestave gjigante do ta detyrojë Ramën të kërkoj azil politik. Nëse hapen manualet e mosbindjes civile janë të përshkruara me dhjetëra metoda nga të cilat nuk ka diktator e klan mafioz që iu reziston, ato janë shkatërrimtare. Këto do ndodhin shumë shpejt. Shqiptarët mezi presin. Rama do largohet para zgjedhjeve me azil politik”, u shpreh Berisha. /Elisjeda Kiko