Skenat e dhunës dhe të urrejtjes që u panë në Rrugën e Kombit të kujtojnë imazhe të tjera të dhunës dhe urrejtjes, që kemi parë shumë herë këto 26 vitet e fundit të demokracisë. Për fat të keq, e kaluara rikthehet dhe çdo herë që besojmë se kemi bërë një hap përpara drejt kulturës dhe modernes, kuptojmë se lidhjet me të vjetrën janë ende shumë të fuqishme. Paradoksale është se protesta e parë e madhe që shpërtheu në Shqipëri dhe që solli në vitin 1991 rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës ishte, në shumë aspekte, më pak e dhunshme se dhuna që u pa neper vitet ne vijim. Duket sikur fryma autentike që vuri në lëvizje atë revoltë te popullit, i cili kishte një dëshirë autentike për liri, ishte në gjendje të kanalizonte energjitë në rrugën e duhur, duke treguar në mënyrë të qytetëruar, edhe pse shumë të fortë, rebelimin popullor. Por ajo çka ka ndodhur në vitet e mëpasme shumë shpesh është ushqyer nga urrejtjet partiake dhe nga ambicjet personale të disa liderve, që kanë përdorur zemërimin e njerëzve, jo për të rrëzuar një sistem, por për të goditur një njeri. Zjarri është kthyer, kështu, në protagonistin e demonstratave të reja në shesh, ndërkohë që nuk u pa asnjëherë në vitin 1991. Zjarri u bë arma që politika zgjodhi ta përdorë nëpërmjet militantëve të saj në përpjekje për të eliminuar kundërshtarin.
Kështu ndodhi më 1997, gjatë revoltës për piramidat mashtruese. Kjo u përsërit në vitin 1998, kur çdo mbrëmje militantët e Berishës mblidheshin përpara selisë së qeverisë dhe e godisnin ndërtesën me shishe me benzinë per vrasjen e Azem Hajdarit. U përsërit një mijë herë të tjera prapë në vitet në vijim, kur përdorimi i zjarrit ishte përfundimi normal i çdo demonstrate dhe, kur rastësisht nuk ndodhte kështu, të gjithë ne analistët e komentonim këtë si mrekulli dhe “një mësim të mirë demokracie”. Një mësim, që u përgënjeshtrua nga dhuna të tjera me zjarr. Retë e tymit të zi që u ngritën në vitin 2011 dhe serisht ne 2014 nga mauzoleu i parë dedikuar martirëve të komunizmit, i cili u quajt më pas Bunk’Art 2, shprehin të njejtën “kulturë” që u pa të shtunën në Rrugën e Kombit, ku ekstremistë të armatosur me dajakë e shishe me benzinë shkatërruan me krenari kabinat për vjeljen e tarifës së kalimit, të sapondërtuara dhe të shkatërruara gjithë gëzim para se të nisnin të funksiononin. Pamje të frikshme të një dhune të papërshtatshme me atë pjesë të Shqipërisë që synon Evropën, modernen, të ardhshmen.
Pagesa tek autostradat nuk është një shpikje shqiptare dhe, për fat të keq, edhe kjo bën pjesë tek modernja. Ekziston në të gjitha vendet e rajonit, ku nuk është dëgjuar ndonjëherë që kabinave t’u jenë vënë zjarr ditën e përurimit. Nga ana tjetër, që prej vitit 2011 flitet për këtë pagesë, kështu që ajo është një ide, për të cilën kanë qenë dakord të gjitha qeveritë. Diskutohet rreth shifrës së pagesës, të cilën shumë vetë e konsiderojnë si tepër të lartë: po a jemi të sigurtë se, sikur të ishte vetëm 1 euro, në vend të 5, protesta nuk do të zhvillohej? Kur është politika ajo që i fryn zjarrit, protestë do të kishte gjithsesi. Por problemi i vërtetë nuk është se për çfarë diskutohet, por si diskutohet.
Në rast se denoncimet e politikës vazhdojnë të shprehen përmes përdorimit të dhunës, që mund të jetë një çizme e lëshuar në Parlament, një muze i djegur, apo një kabinë autostrade e shkatërruar me shkopinj e me zjarr, Shqipëria nuk do të ndryshojë kurrë. Politika duhet të ketë pjekurinë që të distancohet nga dhuna e çfarëdo ngjyre dhe çfarëdo origjine, sepse gjithnjë duhet të synohet tek forca e arsyes dhe kurrë tek arsyeja e forcës. Por, edhe pas skenave të turpshme tek Rruga e Kombit, ishin shumë liderët politikë që duartrokitën për atë çka ndodhi, duke shpresuar se nëpërmjet dhunës do të mund të shtojnë pasuesit e tyre dhe do të pakësojnë ata të kundërshtarit.
Edhe qeveria ka përgjegjësitë e veta, pasi vetëm sot u tha qartë dhe hapur se banorët e Kukësit dhe ata që e bëjnë më shpesh rrugën, të cilët banojnë përgjatë autostradës, do të mund të përfitojnë tarifa të posaçme. Edhe kjo është një praktikë që përdoret në shumë vende evropiane, ku mund të arrihet të parashikohen edhe raste të caktuara të heqjes krejtësisht të pagesës. Por pse duhej pritur që të shpërthente dhuna për ta bërë të qartë këtë “detaj”? Pse duhej pritur që të arrihej tek përplasja fizike mes demonstruesve dhe policisë për të shpallur nisjen e dy muajve konsultime publike me gjithë faktorët e interesuar për problemin, para se të bëhej sqarimi dhe të gjendej një zgjidhje, për të cilën të gjithë janë dakord? Përse edhe qeveria reagon duke informuar me thjeshtësi dhe qartësi opinionin publik vetëm kur bie zjarri?