Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka takuar dje presidentin amerikan Donald Trump. Takimi ka ndodhur në Asamblenë e 74-t të Kombeve te Bashkuara. Kryeministri shqiptar ishte ai që hodhi një foto në rrjete sociale, ku ai dhe bashkëshortja Linda Rama shfaqen krah presidenti Trump dhe Zonjës së Parë të SHBA. Në një intervistë shefi i qeverisë zbardhi detaje nga ky takim.
“Patëm një bisedë të shkurtër sepse i tillë është formati, por të këndshme dhe të mjaftueshme për të kuptuar se marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe natyrisht edhe inkurajuese sepse të dëgjosh nga goja e Presidenti që Shqipëria po shkon mirë është kënaqësi”, u shpreh Rama. Rama u takua edhe me kryeministrin e Greqisë, Kiriakos Mitzotaqis. Ai theksoi se takimi i parë ishte prezantim miqësor, ku shtoi se u diskutua për zgjidhjen e çështjeve të vjetra dhe të mbartura. “Ishte takimi i parë. Një prezantim miqësor. Është e qartë se ka një vullnet pozitiv nga të dyja palët për të çuar para një proces të nisur, të diskutimit të hapur dhe të zgjidhjes së disa çështjeve të vjetra dhe të mbajtura. Ashtu sikundër ka një dëshirë të përbashkët për të hedhur hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin bilateral në çdo plan dhe padyshim në planin ekonomik”, tha Rama. Ndërkohë kujtojmë se ky ishte një takim i shumëpritur, pasi më parë kryeministri grek bëri një deklaratë në lidhje me trajtimin e minoriteteve greke në Shqipëri.
Kryeministri komentoi edhe tryezën e djeshme të mbledhur për reformën zgjedhore. Rama u shpreh se nuk duhet marrë kohë për të gjetur fajtorin, pasi tani e gjithë vëmendja duhet të jetë në përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. “Qëndrimi im është ai që dihet. Nuk dua t’i marr kohë shqiptarëve me avazin se kush e ka fajin. Tani ne duhet të përshpejtojmë procesin e reformës. Rekomandimet janë e zeza mbi të bardhë dhe ne do të ecim mbi to, për Shqipërinë evropiane për të pasur datën e tryezës së parë. Me gjithë respektin për të gjitha idetë, ne procesin do ta përshpejtojmë dhe do ta ndajmë në dy pjesë. Pjesa e parë është përmbushja e këtij kushti dhe pjesa e dytë është t’i japim kohë vetes. Në raport me BE duhen këto. Për ne tani është prioritet kalimi i të gjitha ndryshimeve në reformën zgjedhore që kanë brenda rekomandimin e OSBE-ODHIR”, u shpreh Rama.
Lidhur me vendimin e grupimit më të madh politik gjerman për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Rama tha se kushtet që parashtrohen nga këto parti për Shqipërinë, nuk janë kushte për Gjermaninë, por për të mirën e Shqipërisë. “Së pari është qeveria gjermane që e ka ndërmarrë nga Bundestagu një dritë jeshil për të shkuar në Këshillin Evropian me një PO. Ky është një proces aspak i thjeshtë. Është gjëja më normale të mësohemi se duke çelur negociatat do na duhet të përmbushim qindra kushte. Janë kushte të cilat i bëjnë mirë vendit. Nuk është në interesin e CDU që Shqipëria të mbushë kushte. Janë në të mirë të vendit tonë. Që shqiptarët të përmbushin kushtet. I jam shumë mirënjohës kancelares e cila ka qenë forca kryesore në thyerjen e kësaj barriere që kishim në Bundestag. Mirëkuptoj edhe ata që kanë votuar kundër. Gjermania ka hapur negociatat. Shqipëri e meriton dhe kjo duhet bërë hap pas japi. Procesi i Vetingut ka ecur me ritme më të shpejta se ato të kërkuara, por tani Bundestagu kërkon plotësimin e institucioneve dhe pastaj të futemi në konferencën e parë me të gjitha vendet për të përgatitur kornizën e negociatave që është proces më vete”, u shpreh Rama.
Arbjona ÇIBUKU