Partia Demokratike propozoi në tryezën e sotme të organizuar nga OSBE-ja që reformën zgjedhore ta bëjnë ndërkombëtarët, SHBA, BE dhe OSBE përmes një strukture të posaçme. Përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso u shpreh se opozita nuk e njeh komisionin aktual të reformës, ndërsa shigjetoi edhe bashkë-kryetarin e ‘Zgjedhores’ Damian Gjiknuri lidhur me përgjigmet e dosjes 184 të Dibrës.
“Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime” tha ai. Mënjeherë pas propozimit që bëri, Ivi Kaso u largua nga mbledhja, ndërsa dy përfaqësuesit e tjerë të opozitës, LSI-së dhe PR-së qëndruan.
Por, propozimi i PD-së për strukturë të posaçme ndërkombëtare u kundërshtua nga ambasadori i OSBE-së dhe Damian Gjiknuri. “Nuk e qeverisim ne Shqipërinë” tha ambasadori i OSBE-së duke kërkuar që reforma të miratohet nga vetë shqiptarët. Ndërsa Gjiknuri praninë e përfaqësuesit të PD-së e cilësoi si shenjë të pastër dialogu, por u pozicionua kundër propozimit të tij. “Për mua tryeza është një sukses për sinjalin e parë të dialogut. Edhe pse përfaqësuesi i PD erdhi, mbajti një deklaratë politike dhe u largua, mesazhi doli i qartë që PD, të paktën në dukje, ka filluar të interesohet për procesin e reformës zgjedhore” tha ai.
Propozimi i PD? “Mekanizma jashtë sistemit parlamentar është e vështirë të ketë sepse reforma do të miratohet nga Parlamenti. Nëse PD kërkon të kanalizojë propozimet e saj në këtë komision të reformës duke unifikuar qëndrimet e tyre, ka mekanizma nga më të ndryshme të dialogut që ne nuk i refuzojmë apriori, por duam të mësojmë më shumë çka kanë ata parasysh me këtë strukturë të re”, u shpreh Gjiknuri. Grupet e deputeteve të opozitës në Kuvend kërkuan ndryshimin e sistemit aktual me cdo kusht. Të pranishëm ishin edhe kryetarët e partive të vogla, që morën fjalën mes tyre Astrit Patozi i Bindjes Demokratike që u shpreh se partitë e mëdha nuk duan të ndryshojnë sistemin se janë përfitueset më të mëdha.
Debati për axhendën e OSBE-së
Tryeza e sotme e organizuar nga OSBE-së u përfshi edhe nga një debat i fortë mes palëve. Opozita jashtë parlamentare e drejtuar nga Partia Demokratike theu bojkotin duke marrë pjesë në tryezë, por privilegji që iu dha përfaqësuesit demokrat Ivi Kaso për të folur pas Damian Gjiknurit dhe para Rudina Hajdarit u kundërshtua ashpër nga deputetët e opozitës së re, pasi sipas tyre u bë ‘de facto’ bashkë-kryetar i tretë duke sjellë largimin vetëm për disa minuta.
Kujtim Gjuzi i kërkoi Damian Gjiknurit që të mos flasë Ivi Kaso përpara Rudina Hajdarit, ndërsa deputetët e tjerë të opozitës i kërkuan kryetares së grupit demokrat largimin nga tryeza. Ambasadori Bernd Borchardt bëri thirrje për qetësi, ndërsa u shpreh se ‘Jam i zhgënjyer. T’i qëndrojmë axhendës, më vonë gjatë kafes mund t’ua shpjegoj’. Rudina Hajdari e anashkaloi këtë moment duke e cilësuar si shenjë e toleracës mes demokratëve të lirë dhe atyre të cunguar, duke thumbuar PD-në.
Në momentin që përfaqësuesi i PD-së Ivi Kaso u largua nga tryeza e OSBE-së, Damian Gjiknuri deklaroi se çdokush është i lirë që të bëjë çfarë të dojë, ndërsa Rudina Hajdari u shpreh se bëri mirë që iku. Debati në sallë rifilloi sërish dhe deputeti Adriatik Alimadhi i kërkoi Rudina Hajdarit si bashkë-kryetare e reformës zgjedhore që të largohet nga tryeza dhe që votat e 39 deputetëve të opozitës në Kuvend të kushtëzohen me kodin e ri zgjedhor.
Por Rudina Hajdari u shpreh se nëse do të largohen do të sillen si PD-ja, ndërsa shtoi se kjo është anija e fundit e tyre dhe nëse do të bojkotojnë sërish do të fundosen. “Nëse ikim po sillemi si ata. Kjo është anija e fundit, nëse ata do të ikim ju siguroj që do të fundosen në fundin e historisë” tha ajo. Por, pavarësisht deklaratës së saj, deputetët e opozitës në Kuvend u larguan nga tryeza e OSBE-së, së cilës iu bashkua më pas edhe Rudina Hajdari. Deputeti Myslym Murrizi u shpreh se komisioni nuk mund të ketë tre bashkë-kryetarë, pasi janë votuar dy, opozitës në Kuvend dhe shumicës dhe jo PD-së që është në rrugë.
Por Rudina Hajdari dukej qartë se nuk ishte dakord me këtë vendim të deputetëve opozitarë që u larguan të gjithë në grup. Në momentin që Ralf Gjoni po fliste për mediat, ajo iu drejtua duke i bënë që të mos bënte shoë, “Ralfi, mos bëj show politik”. Por duket se gjakrat u qetësuan në mbledhjen që zhvilluan për disa minuta deputetët opozitarë dhe Rudina Hajdari arriti që të bindte të vetët. Në sesionin e dytë Rudina Hajdari, Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Halil Jakimi u rikthyen duke e cilësuar largimin si reagim emocional dhe kërkuar ndjesë, ndërsa shprehën vendosmërinë për të shkuar deri në fund të ndryshimit të sistemit elektoral. Tryeza vijon me diskutimet.