Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Kroacia mbështesin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me BE. Ministrat e Jashtëm të këtyre 4 vendeve ballkanike gjatë një takimi zhvilluar në hapje të sesionit të punimeve të Asamblesë së OKB-së, deklaruan së mbështesin aspiratat e fqinjëve të tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias u shpreh pas takimit me homologët e tij se këto katër vende mbështesin politikat e zgjerimit në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Kam pasur kënaqësinë e madhe sot, këtu, në zyrat e Delegacionit Grek për të pritur Ministrat e Jashtëm të tre vendeve të Ballkanit që janë anëtare të Bashkimit Evropian, përkatësisht Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë.
Gjatë takimit tonë diskutuam perspektivën e Ballkanit Perëndimor, perceptimin tonë të përbashkët se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë evropiane dhe çështjet specifike të ngritura nga zgjerimi në lidhje me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.
Unë mendoj se është një hap i mirë që Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit të jenë në gjendje të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe të vijnë në pozicione të përbashkëta për interesin e përbashkët dhe zonën e përbashkët gjeografike më të gjerë brenda Bashkimit Evropian”, u shpreh Nikos Dendias .
Ky qëndrim i Greqisë, që konfirmon mbështetjen për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vjen pas takimit që Kryeministri Edi Rama zhvilloi në New York me hologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis.