Qytetarë të shumtë nga Kukësi por edhe Kosova janë grumbulluar në një pikë në Rrugën e Kombit ku protestojnë kundër vendosjes së tarifës.
Protesta e nisur në orën 11:00 në afërsi të sporteleve ku paguhet tarifa për të kaluar në Rrugën e Kombit ka degraduar në akte dhune dhe përplasje mes policisë e protestuesve.
Në drejtim të forcave të rendit janë hedhur gurë nga protestuesit ndërkohë policia ka përdorur shkopat e gomës për neutralizimin e personave të dhunshëm.
Në protestë mësohet se janë plagosur lehtë tre persona nga radhët e tubuesve gjatë përleshjeve me policinë.
Të shumtë në numër protestuesit kanë çarë kordonin e policisë pas disa minutash përleshje dhe kanë shkatërruar sportelet ku kryhet pagesa. Sporteleve më pas pu është vënë zjarri dhe raportohet se janë shkatërruar totalisht.
Situata për disa momente ka dalë jashtë kontrollit. Organizatorët kanë marrë leje dy orë për të zhvilluar protestën, por deklarojnë se nuk do të largohen nga rruga derisa të anulohet vendimi për të paguar taksën.