Marko Gjuriç përgatitet për “provokacja” numër 2. Siç bën të ditur B92, qeveria serbe ka planifikuar të dërgojë sërish në Kosovë drejtorin për Zyrën e KIM, por këtë herë me vete do të ketë oficerë të trupave speciale serbe të veshur civilë por të armatosur deri në dhëmbë.
Data është caktuar më 20 prill, ku Beogradi pritet që të marrë “hakmarrjen” ndaj poshtërimit që Prishtina i bëri në transmetim live.
Marko Gjuriç do të jetë i pranishëm në ceremoninë e themelimit të Zajednicës, siç quhet Asocacioni i Komunave Serbe, që do të zhvillohet në një aktivitet të posaçëm në Zveçan.
Sipas B92, nuk është zgjedhur Mitrovica e Veriut, pasi qeveria e Vuçiç e ka humbur kontrollin e qytetit të ndarë pikërisht pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, një politikan i spikatur i opozitës serbe.
Milan Radojiçiç, kapoja i Mitroviçës së Veriut, i lidhur me fijet e kontrabandës dhe krimit, tashmë ka gjetur aleat Ramush Haradinajn dhe ka prerë fijet në Beograd.
Qeveria serbe ka përgatitur një demonstrim të madh më 20 prill ku përveç banorëve serbë edhe të jugut të Kosovës, do të thirren serbët e Kosovës qe jetojnë në katër anët e Serbisë.
Qëllimi është të bëjnë atë që nuk arritën dot në Mitrovicën e Veriut: një tubim të madh antishqiptar, ku pritet të ketë edhe provokime.
Plani është që Gjuriç nuk do të marrë leje nga Prishtina dhe do të kalojë kufirin “me çdo kusht” edhe nëse Prishtina dërgon ushtrinë apo e ndalon KFOR-i.
Në fakt, pritet vendimi i NATO-s për rolin që do të luajë KFOR-i i cili deri tani nuk ka ndërhyrë pasi kanë qenë më shumë veprime politike dhe policore.
Nëse do të këtë ndërhyrje ushtarake, KFOR e ka në rregullore për të mos lejuar të kalohet kufiri. Madje këtë e ka bërë të ditur edhe në një marrëveshje me ushtrinë serbe para një viti./tesheshi