Monika Kryemadhi gjatë një interviste në A2 CNN ashtu si edhe nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho ditën e djeshme mohoi se do të ketë negociata të fshehta për zgjidhjen e krizës politike. Kryemadhi nguli këmbë se opozita vazhdon të jetë e bashkuar dhe qëndrimin e saj të ndryshëm nga Lulzim Basha për t’u përballur në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, ajo e shpjegoi me arsyetimin se femrat janë më sfiduese se meshkujt.
“Unë gjithmonë e kam thënë që politika duhet të përballet me sfidat e saj. Basha ka shumë të drejtë sepse në çfarë zgjedhjeje do të hysh me një kryeministër që akuzohet për bashkëpunim me krimin për vjedhjen dhe blerjen e votës? Qoftë SHBA dhe BE nuk negociojnë me kriminelët, vetëm negociata të fshehta bëjnë. Politika shqiptare ka negociuar fshehtas këto 30 vjet dhe prandaj nuk e kemi kaluar tranzicionin. Portalet pranë Ramës trumpetojnë se do të ketë negociata të fshehta, por absolutisht nuk ka. Jemi në unison. Ne nuk kemi problem dialogun, e ka problem Edi Rama. Por, dialogu duhet të jetë institucional, ne nuk bëjmë dialog sa herë ka Rama problem. Një nga kushtet për hapjen e negociatave është dialogu. Dialog për gjithçka. Unë them që femrat janë më sfiduese se meshkujt. Pranojnë të përballen”, tha Kryemadhi.