Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përmbyllur procesin e auditimit të kryer pranë Agjensisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve mbi rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”.
Grupi i auditimit ka konstatuar fakte dhe rrethana të paligjshme, që krijojnë bindje të arsyeshme se plotësojnë elementët e veprës penale: të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Referuar rezultateve të auditimit, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri i është drejtuar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me një kallëzim penal ndaj personave të mëposhtëm:
Të kallëzuar:
1. Ardian Alushi, ish Drejtor i Përgjithshëm i Agjensisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Tiranë, për gjithë periudhën e zbatimit të projektit:“Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”.
2. Klevis Biçaku, ish Koordinator i projektit: “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, për periudhën shkurt 2014 – maj 2015, pranë Agjensisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Tiranë.
3. Albens Alite, ish Koordinator i projektit: “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, për periudhën Qershor 2015 – Tetor 2017, pranëAgjensisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Tiranë.
Si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, pasi veçmas dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, duke shkaktuar pasoja të renda për interesat e buxhetit të shtetit dhe të publikut si dhe kanë krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale për subjekte të tjera juridike private.
Personat e kallzuar, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, me veprimet e mosveprimet e tyre, kanë shkaktuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit për shkak të rritjes së kostove të këtij projekti, duke favorizuar kontraktorin, supervizorin apo subjekte të tjera me të cilët janë nënshkruar kontrata për zbatimin e projektit, duke dëmtuar kështu rëndë interesat e ligjshme të shtetit shqiptar dhe të publikut.
Konkretisht, gjatë procesit të zbatimit të projektit: “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, grupi i auditimit ka konstatuar se:
Nga ana e ish Drejtorit të Përgjithshëm të AKUK dhe ish Koordinatorëve të këtij projekti nuk janë përmbushur detyrat e përcaktuara në legjislacionin në fuqinë drejtim të vlerësimit, monitorimit dhe raportimit mbi zbatimin e projektit. Për rrjedhojë, janë shkaktuar pasoja të renda të kundraligjshme për buxhetin e shtetit, si dhe për shtetasit si pasojë e mospërfundimit të këtij projekti në kohë, që janë:
– Rritja e kostos së punimeve civile të projektit, në vlerën 1.027.291.019 JPY për shumën e situacioneve të paguara deri më 31.11.2017 dhe në vlerën 2.319.093.644 JPY deri në përfundim të projektit, vetëm si pasojë e ndryshimit të formulës për rregullimin e çmimit.
– Kosto shtesë në vlerën 10.988.195 JPY, si pasojë e rritjes të nivelit të paradhënies nga 20% në 25% të vlerës së kontratës, pas nënshkrimit të saj, jo në përputhje me standartin FIDIC.
– Kosto shtesë për projektin në shumën 465.000.000 JPY, si pasojë e zgjatjes së afatit të kontratës për “Shërbimin e Konsulencës”.
– Është nënshkruar Kontrate për shërbim auditimi, në shumën 10,800 Euro, ose 1,603,967 JPY, me TVSH, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 3, pika 7, seksioni 4, të Ligjit nr. 9964, datë 24.07.2008, për ratifikimin e “Marrëveshjes së huasë ndërmjet K. të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar”, duke rritur kostot e projektit.
– Është disbursuar për Supervizorin shuma prej 9,400,351 JPY, në zërin “Shpenzime ligjore”, në kundërshtim me kërkesat e marrëveshjes së huasë, tëpajustifikuara dhe të padokumentuara, duke rritur kostot e projektit;
– Rikthimi i paradhënies nuk është bërë në përputhje me kushtet e përgjithshme të kontratës, pika 14.2 (a) dhe 14.2 (b). Kontraktori rezulton me paradhënie të pakthyer në shumën 588,322,340 JPY. Mos rikthimi i paradhënies sjell kosto shtesë për tarifën e sigurimit të paradhënies të cilën e paguan AKUK. AKUK duhet të sigurojë paradhënien jo më për 806,659,445 JPY, por për shumën 1,394,981,786 JPY, e për pasojë do të paguajë më shumë për këtë sigurim paradhënie. Kjo kosto shtesë, nuk është llogaritur, pasi sigurimi i paradhënies nuk është paguar deri në datën e hartimit të këtij materiali.
Gjithashtu, nëse AKUK, do të vazhdojë me të njëjtën mënyrë të përllogaritjes së mbajtjes së paradhënies, paradhënia nuk mund të rikthehet në masën 100% të saj, kur niveli punimeve të jetë në masën 90%, ashtu sic është parashikuar në FIDIC dhe marrëveshjen ndërmjet palëve;
– Në zbatimin e këtij projekti, nuk është përfshirë shoqëria Ujësjellës Kanalizime sh.a, Tiranë, në rolin e Agjencisë Operuese, duke ndryshuar kështu kushtet e marrëveshjes, fakt i cili nuk është dokumentuar me ndonjë akt administrativ, në kundërshtim me përcaktimet e marrëveshjes financiare, ratifikuar me Ligjin nr. 9964, datë 24.07.2008.
– Gjatë zbatimit të këtij projekti, asnjë problematikë e rezultuar nga rrëshqitjet e ndodhura, nuk është parashtruar për tu diskutuar, analizuar dhe vendosur nga Këshilli Teknik i AKUK.
– Shumat e mbetura, për “Realizimin e Punimeve Civile” dhe “Shërbimin e Konsulencës”, nuk janë të mjaftueshme për realizimin e plotë të projektit.
Realizimi përfundimtar i projektit, do të rezultojë me kosto shtesë, në shumën 1.340 milion JPY, shumë e cila do të rrisë edhe më tej kostot e projektit dhe do të shoqërohet me kërkesën për fonde shtesë për përfundimin e projektit.
Demi i shkaktuar, në formë tabelare paraqitet si më poshtë:
Nr. |
Vlera JPY |
Përshkrimi i Efekteve financiare me dëm ekonomik |
1 |
2.319.093.644 |
Si pasojë e ndryshimit të formulës për rregullimin e çmimit. |
2 |
10.988.196 |
si pasojë e rritjes të nivelit të paradhënies nga 20% në 25% të vlerës së kontratës, pas nënshkrimit të saj. |
3 |
465.000.000 |
si pasojë e zgjatjes së afatit të kontratës për Shërbimin e Konsulencës. |
4 |
1,603,865 |
Kontratë për shërbim auditimi, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 3, pika 7, seksioni 4, të Ligjit nr. 9964, datë 24.07.2008, për ratifikimin e “Marrëveshjes së huasë ndërmjet KM të R. Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar. |
5 |
9,400,351 |
paguar shpenzime ligjore, në kundërshtim me kërkesat e marrëveshjes së huasë, të pajustifikuara dhe të pa dokumentuara. |
Totali |
2,806,086.056 |
Rreth 21,000,000 Euro |
FINANCIMI PROJEKTIT
“Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, është bërë në zbatim të Ligjit nr. 9964, datë 24.07.2008, për ratifikimin e “Marrëveshjes së huasë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar”.
OBJEKTIVI PROJEKTIT:
Përmirësimi i cilësisë së ujërave nëntokësore dhe ujit të lumenjve lokalë me anë të zhvillimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza dhe kanalizimeve në zonën e Tiranës së Madhe, duke kontribuar në këtë mënyrë në përmirësimin e higjenës publike dhe mjedisit të gjallë të banorëve të zonës së sipërpërmendur.
SHUMA E HUASE:
Marrëveshja e huasë konsiston në një shumë, që nuk i tejkalon, 11,121,000,000 (njëmbëdhjetë miliardë e njëqind e njëzet e një milionë) jen japonez, si principal për implementimin e projektit të përmirësimit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe.
AFATI I PERFUNDIMIT
të projektit, sipas termave të marrëveshjes ka qenë, dhjetor 2014.
SITUATA NE TE CILEN NDODHET SOT PROJEKTI:
Kur afati për përfundimin e tij ka mbaruar dhe volumi i punimeve është në masën 51.9 %, AKUK ka ndërmarrë takime me të gjithë partnerët e projektit duke kërkuar zgjidhjen e situatës së krijuar. Në momentin e auditimit, deri në pagesat e Nëntorit 2017, me koston shtesë të paguar deri me këtë datë, rezulton se buxheti i vënë në dispozicion për punime civile të jetë realizuar në masën 99.5 % (9.196 milion JPY /9.238 milion JPY), ndërkohë që punimet janë realizuar në masën 51.9 %.