Ditën e djeshme, në Prizren të Kosovës ka humbur jetën tragjikisht parashutisti i njohur Artan Venhari. Ai së bashku me një person tjetër pësuan aksident teksa po hidheshin me parashutë, ku si pasojë Venhari gjeti vdekjen e menjëhershme ndërsa pasagjeri është plagosur rëndë dhe gjendet në spital.
45-vjeçari, Venhari ishte instruktor në Federatën Aeronautike të Kosovës dhe sipas prokurorit të këtij rasti, parashuta e tyre dyshohet se ka pësuar dëmtime si shkak i erërave të forta.
Venhari nuk ishte një personazh i panjohur në Kosovë, për shkak të pasionit të tij dhe sportit që ushtronte.
Një humbje tragjike e ka cilësuar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vdekjen e 45-vjeçarit.
Haradinaj me anë të një statusi në rrjetet sociale ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët ndërsa ka shkruar se Prishtina ka humbur një nga djemtë më të mirë.
“Prishtina humbi një nga djemtë më të mirë, Artan Venhari. E dhimbshme dhe tragjike humbja e tij, nga ajo që e pati gjithë jetën pasion, fluturimin në qiell. Ngushëllime të sinqerta familjes. Prehu i qetë në tokën e Kosovës Artan!”, shkruan Haradinaj.