Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi media gjermane Die WELT ka korrigjuar pjesën e intervistën me të, teksa shefi i qeverisë flet për kapjen e 613 kg kokainë në Durrës.
Në këtë intervistë shkruhej se Rama kishte thënë që kokaina në Durrës ishte kapur nga autoritet shqiptare në bashkëpunim me ato italiane.
Por vetë kryeministri, deklaroi një ditë më parë se kjo deklaratë nuk ishte e vërtetë dhe kemi të bëjmë me një gabim pasi droga është kapur falë super oksionit të policisë shqiptare.
Dhe sot shefi i qeverisë ka postuar lajmin për korrigjimin që ka bërë media prestigjioze gjermane dhe thotë ja çfarë ndodh kur media nuk është kazan.
Ndërkohë shumë media në vendin tonë e duke iu referuar gabimit të medias gjermane shkruajtën se Rama ka ndryshuar qëndrim për aksionin e kapjes së kokainës duke thënë se u finalizua me bashkëpunimin e ndërkombëtarëve, pra jo vetëm nga policia shqiptare.
Por kjo deklaratë rezultoi e pavërtetë pasi gazetari kishte bërë një lapsus pa dashje pasi kryeministri kishte thënë se ky operacion u bë pa bashkëpunimin e ndërkombëtarëve.
Postimi i Ramës:
KUR MEDIA NUK ESHTE KAZAN
Prestigjozja gjermane Die WELT korrigjoi në kohë rekord, citimin e gabuar nga intervista ime e regjistruar me gazetarin, lidhur me të vërtetën (e shtrembëruar padashje nga gazetari gjatë zbardhjes së intevistës) të kapjes së 613 kg kokainë nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare, pa asnjë bashkëpunim ndërkombëtar!
Mund të kishte qenë fare mirë një operacion në bashkëpunim me partnerët (si shumë të tjerë), që s’do zbehte as vlerën e operacionit e as rolin e agjencive tona, por e vërteta është se nuk ishte dhe kaq!
Ndërkohë që, ndryshe nga ç’ndodh përditë rëndom në këtë vendin tonë të vogël, ku nëpër pasqyrat mediatike bëhet rregullisht “prifti me barrë” e futet “xhamia në thes” dhe askush, as nuk merr e as nuk mban asnjë përgjegjësi përpara publikut, kjo media e madhe e një vendi të madh, merr e mban përgjegjësi publike edhe për një fakt kaq periferik sa ç’është për përmasat e saj, citimi i gabuar i kryeministrit të një vendi kaq të vogël sa i yni. (TemA)