Këshilli i Lartë i Prokurorisë do t’i japë shumë shpejt vendit emrin e ri të Prokurorit të Përgjithshëm. Pengesat për këtë procedurë u eliminuan ditën e djeshme nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili zbardhi vendimin për kandidatin Olsian Çela. Prokurori i Krimeve të Rënda kaloi në veting në muajin korrik, ndërsa së fundmi janë renditur arsyet nga KPK se pse meritoi konfirmimin në detyrë.
Ky akt ishte pengesa e fundit për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Në garë janë vetëm katër vetë: Arta Marku, Fatjona Memçaj, Lulzim Alushi dhe Olsian Çela. Por vetëm për këtë të fundit u vonuan procedurat e vetingut. Pas kalimit në “sitë” të tij, vijimi i punës nga ana e KLP për zgjedhjen e kryetarit të ri të organit qendror të akuzës mbahej peng nga zbardhja e vendimit të KPK. Ky ngërç u zgjidh, ndërsa tani mbetet të pritet vetëm afati 15-ditor për ankimim nga Komisioneri Publik. Por të gjitha gjasat janë që ndaj Olsian Çelës nuk do të ketë ankimim sepse nga vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk rezultojnë problematika për prokurorin apo gjetje të dyshimta. Megjithatë, edhe nëse Komisioneri Publik vendos ta çojë në Apel Çelën, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të mblidhet për të vendosur sesi do të veprojë në këtë rast. Gjasat janë që do të vijohet me procedurat sepse çështja në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit mund të zgjasë disa muaj. Edhe vetë kryetari i KLP, Gent Ibrahimi deklaroi para pak ditësh se zgjedhja e kryeprokurorit të ri është fare pranë.
Vendimi i KPK
Sipas vendimit që KPK ka zbardhur për Olsian Çelën, del se ky i fundit gëzon një pasuri të ligjshme. Për blerjen e një njësie në Tiranë, komisionerët e vetingut kanë hetuar për mundësitë financiare të prokurorit, por nuk kanë konstatuar problematika. “Komisioni, pasi analizoi burimet e krijimit të shumës prej 78,500 euro për blerjen e “njësisë” me sip. 77.8 m2, të paraqitura si më poshtë: (i) shuma 66,000 euro; (ii) shuma640,651 lekë; (iii) shuma 1,150,000 lekë, duke marrë në konsideratë verifikimin e dokumentacionit përkatës justifikues, deklarimet periodike vjetore dhe deklarimet e tjera të subjektit, arriti në përfundimin se nuk konstatohet ndonjë problematikë apo indicie që mund të çojnë në ngritjen e dyshimeve që kanë të bëjnë me vërtetësinë dhe ligjshmërinë e burimit të këtyre shumave”, thuhet në vendim. Në emër të Olsian Çelës rezulton edhe një tokë arë, por as për të nuk janë gjetur mospërputhje a probleme të tjera. “Komisioni ka kryer korrespondencë me ZQRPP-në dhe ZVRPP-në Fier, e cila kakonfirmuar bashkëpronësinë në 1/3 pjesë të S., Olsian dhe E. Ç., si pasojë e çeljes sëtrashëgimisë ligjore (nga vdekja e babait të subjektit, z. D. Ç.). Komisioni konstaton se përputhet deklarimi i subjektit me dokumentacionin e depozituar prej tij dhe me dokumentacionin e përcjellë nga ZVRPP-ja Fier”, vijon vendimi. Sa iu takon tri huave të marra nga prokurori i Krimeve të Rënda, komisionerët e vetingut kanë arritur në përfundimin se subjekti ka vënë në dispozicion dokumente ligjore të mjaftueshme për të provuar ligjshmërinë e tyre. Kandidati për Prokuror të Përgjithshëm është vlerësuar pozitivisht është për kriterin e figurës dhe aftësitë profesionale.
Reforma hyn në shina
Zgjidhja e ngërçit për emërimin e kryeprokurorit të ri fut në shina reformën në drejtësi. Dy problemet më kryesore që kërkojnë zgjidhje imediate janë pikërisht zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritja e SPAK. Në fakt, që prej dhjetorit 2018 Prokuroria e Përgjithshme drejtohet nga Arta Marku, e cila është me mandat të përkohshëm. Por duke qenë se emri i ri është shumë pranë, dhe ngritja e SPAK ështëçështje ditësh, mund të themi se reforma në drejtësi është në rrugën e duhur.
Mimoza Ibra