Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka kërkuar dje ndihmë më të madhe ndërkombëtare për t’u përballur me valën e emigrantëve dhe ka kërcënuar me rihapje të rrugëve drejt Evropës, nëse nuk financohet plani i tij për të krijuar “zona të sigurta” kufitare për refugjatë sirianë. “Turqia do të detyrohet të hapë dyert nëse nuk ofrohet më shumë ndihmë. Nëse nuk ka mbështetje, më vjen keq por ne nuk do ta bartim këtë peshë të vetëm”, ka thënë ai në një fjalim televiziv në Ankara.
Turqia është aktualisht streha e më shumë se 3 milionë refugjatëve të luftës tetëvjeçare në Sirinë fqinje, çka ka krijuar vështirësi në ekonominë turke. Përveç sirianëve, Turqia ka strehuar edhe qindra mijëra irakianë dhe afganë, të cilët kanë ikur nga luftërat në vendet e tyre. Më 2016, Ankaraja është pajtuar për të arritur marrëveshje me Bashkimin Evropian, për të ndalur valën e emigrantëve nga jugu dhe lindja, në këmbim të miliarda dollarëve. Që nga ajo kohë është vënë nën kontroll numri i refugjatëve që kanë synuar të nisen drejt BE, mirëpo së fundmi arritjet në gjirin e Mesdheut janë rritur sërish. Në fjalimin e tij për anëtarët e partisë në pushtet AK, presidenti turk ka thënë se shteti i tij ka kërkuar 40 miliardë dollarë për të përballuar valën e emigrantëve, dhe pretendon se Evropa dhe Perëndimi deri tani kanë dështuar në përmbushjen e zotimeve të tyre. Ai ka thënë se Turqia është duke kërkuar kthimin e 1 milion sirianëve në zonat e sigurta përgjatë kufirit turko-sirian, teksa presidenti sirian, ku qeveria e Bashar al-Assad vazhdon të luftojë militanët kundër qeverisë në konfliktin tetëvjeçar.
Greqia pretendon rritje të emigracionit
Turqia ka refuzuar dje gjithashtu pretendimet e Greqisë dhe të Bashkimit Evropian për rritje të numrit të emigrantëve që hyjnë nga Turqia. Në linjë të njëjtë me atë të presidentit Erdogan, ministri i Brendshëm i Turqisë Suleyman Soylu, kundërshtoi dje pretendimet e fundit duke thënë se “nëse BE shqetësohej për Turqinë aq sa për Greqinë, problemet mund të zgjidhen”. Vërejtjet e Soylu erdhën në konferencën e përbashkët të shtypit përpara takimit dypalësh me komisionerin e lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi. Soylu përshëndeti përpjekjet globale të OKB për të adresuar krizën e refugjatëve, pasi tregoi për një fluks migracioni në Turqi. “Besoj se OKB po e ndjek çështjen me më tepër vëmendje sesa BE. Na vjen keq për deklaratën e fundit të BE”, tha ai, duke iu referuar pretendimeve se emigrimi nga Turqia në Greqi është në rritje. “Nëse BE ishte shqetësuar për Turqinë aq sa për Greqinë, ne do t’i zgjidhnim çështjet dhe problemet më mirë”, theksoi ai. Soylu tha se gjithsej 30.842 migrantë shkuan në Greqi gjatë periudhës tetë mujore vitin e kaluar, ndërsa shifrat për vitin 2019 qëndrojnë në 29.025, duke treguar një rënie prej 6 për qind.
OKB e kënaqur me Turqinë
I dërguari i posaçëm i OKB, Grandi falënderoi Turqinë në emër të komunitetit ndërkombëtar për pritjen e 4 milionë refugjatëve. Më tej ai tha se një forum global mbi refugjatët do të mbahet në fund të vitit në Gjenevë. Turqia është një nga pesë vendet që thërrasin mbledhjen. “Kjo është shumë domethënëse sepse Turqia është vendi më i madh pritës i refugjatëve në botë”, tha ai. Ai theksoi se takimi i Gjenevës ka për qëllim ofrimin e mbështetjes ndërkombëtare për vendet që strehojnë refugjatë “të ndajnë barrën më të barabartë midis vendeve”. Turqia do të bashkë-kryesojë Forumin e parë Global për Refugjatët më 17-18 dhjetor, i cili do të përqendrohet në aranzhimet për ndarjen e ngarkesës dhe përgjegjësisë, arsimin, vendet e punës dhe jetesën, energjinë dhe infrastrukturën, zgjidhjet dhe aftësinë e mbrojtjes. Takimi do të mblidhet në nivelin ministror dhe do të përfshijë vendet anëtare të OKB-së dhe aktorët e tjerë.
Andi Lamko