Në qarkoren e Lulzim Bashës kundër mediave, çuditërisht përmendet edhe një nga njerëzit e tij më të afërt mediatikë deri pak kohë më parë, Alfred Lela, që drejton portalin Politiko.al
Politiko.al që ai drejton nuk përmendet me emër në qarkoren e PD-së, por aty nënkuptohet se ai bën pjesë në ata që janë konvertuar pas politikës së shkopit dhe karotës që aplikon kryeministri.
“Kjo strategji antiopozitare përfshin portalet e njohur në publik për qëndrimet kritike ndaj Qeverisë dhe që, deri para pak muajsh, në linjën e tyre editoriale ishin në përkrahje të plotë të vendimeve të Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj.
Strategjia e financimit të këtyre portaleve nga Edi Rama bëhet me kushtin që ato të ruajnë dukjen kritike të Qeverisë- për të krijuar perceptimin e gabuar të një portal opozitar- dhe të shtojnë akuzat, lajmet e rreme, gjysëm të vërtetat dhe mashtrimet kundër Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, duke sajuar “probleme” apo duke bërë pseudo-analiza me fakte të shtrembëruara.
Qëllimi është për të goditur dhe ulur besueshmërinë e Partisë Demokratike, në mënyrë që të krijojnë perceptimin e gabuar se “të gjithë janë njësoj” thuhet në qarkoren e Bashës, duke aluduar kështu portalin e drejtuar nga Lela.
Dhe mbi këtë aluzion është përgjigjur Lela që e ka konsideruar këtë si një metodë të kopjuar nga Berisha.
“Unë e kuptoj këtë strategji të Bashës dhe e ka të marrë borxh nga Berisha, se ai nuk mendon dot në kokë të vet: ata që nuk janë plotësisht ushtarë dhe në rresht, nuk janë tanët se nuk janë shërbëtorë të plotë, kështu që është më mirë t’i shpallim kundërshtarë dhe t’i fusim në rradhët e armiqve politikë.
Të djathtët që guxojnë të mos mendojnë si ata, janë më pak shqetësues nëse nuk pranohen si të djathtë dhe futen te mercenarët dhe armiqtë” shkruan ai.