Ishte vetëm 21-vjeç asokohe kur i sapokthyer nga Shën Pjetërburgu ku studioi për Marinë Luftarake do i qasej me kureshtje trupës amatore të Portit.
Tre vitet e shkollës ruse kishin qenë mundësi e mirë për t’i ikur “shërbimit të detyruar ushtarak në Librazhd”, do të përdorte humorin ndërsa rrëfente jetën e tij aktori, por kthimi duke mos e përfunduar formimin pesë vjeçar për shkak të prishjes së marrëdhënieeve me Shqipërisë e Rusisë dhe puna në portin e Durrësit nuk qe ajo që kishte dashur i riu. “Deti është i bukur kur shihet nga bregu, por kur i hyn brenda është llahtar” do i thoshte gazetares ai.
Për shkak të frikës nga deti u detyrua të punonte në port dhe fati e desh që një aktor i Estradës së Durrësit, Ramazan Jala, të bëhej shkak që Fadil Hasa të ngjitej në skenë. “Qysh në premierën e parë isha i papërballueshëm. U pëlqeva shumë.” –do të kujtonte ai, ndërsa do të sillte ndërmend rolin e parë, atë të një përkthyesi që në të vërtetë nuk di asnjë gjuhë të huaj. “Përkthimi ishte fenomenal. E gjithë salla u ngrit në këmbë”.
Në premierën e tretë me Estradën e Portit –e përbërë nga amatorë e jo nga profesionistë si ajo e qytetit –do të bëhej një takim kombëtar i të gjithë humorit shqiptar. “Mora çmimin Aktori më i mirë i Festivalit”-do të thoshte Hasa, ndërsa për të dytën herë këtë çmim e mori në vitin 1997, kësaj here në një festival me estradat profesioniste. Estrada e Durrësit, edhe pse me vetëm katër aktorë do të merrte flamurin e festivalit.
Megjithëse në karrierën e tij që nisi krejt rastësisht në vitet ’60 –humor që siç do të thoshte ai nuk e kishte trashëguar nga familja, por mbase e kish marrë gjatë viteve të shkollës së mesme në qytetin e Shkodrës, e njohur për lëvrimin e këtij zhanri jo vetëm mes profesionistësh, por edhe njerëzish të thjeshtë që e kanë qesëndinë në gjak – ka interpretuar shumë role, Hasa vetë do të veçonte më të njohurit, ata që kanë mbetur në kujtesën dhe zemrat e njerëzve, në materiale si “Dajrja”, “Sheqeri” apo Tekniku i lavatriçes”. Megjithëse e nisi në moshën 21 –vjeçare, Fadil Hasa ka rrëfyer se rolin e parë e pat marrë nga mësuesi i letërsisë, kur ishte në klasë të katërt në shkollën 7-vjeçare në Krujë, i cili e përzgjodhi për të luajtur në një dramë në shkollë.
Në Durrës, trupa me të cilën lunte Hasa do të mblidheshin në orën 11:00 të paraditeve për të mbajtur shfaqje, në mënyrë që të rivalizonin “Canzonissima”-n italiane, aq shumë të dashur e të ndaluar për shqiptarët. “Salla ishte e vogël , me 320 vende, te Shatërvani poshtë, mblidheshin pesë mijë vetë që dëgjonin nga fonitë. U bë problem, sepse po linim pa punë Estradën profesioniste”.
Hasa do të fliste edhe për censurën , të cilën duhet ta brendësonin gjatë viteve të regjimit komunist. “Hierarkia ishte përgjegjës, nëndrejtor, drejtor. Deri këtu mund të talleshe e të ironizoje. Por nëse të shkonte mendja për të bërë humor me ndonjë zv/ministër, të pinte e zeza. As mund ta çoje nëpër mend pastaj ç’mund të ndodhte nëse ishte ministër. Deri te drejtorë fabrikash i kemi bërë telef! Por kishte kontroll. E shfrytëzonin humorin për politikë, por ishin të vëmendshëm se mos u shpëtonte ndonjë gjë”.
Ai ka kujtuar sesi ka udhëtuar në të gjithë Shqipërinë për të dhënë shfaqje. “Tunele, reparte ushtarake, brigada grash në kooperativa bujqësore. Atyne u binte dielli n’kaptinë e u dilte shpirti në normë, ne na çonin për të bërë humor.”, ka kujtuar ai paradoksin e regjimit. Ndërsa pas viteve ’90 do të udhëtonte botën, aty ku kishte shqiptarë që e kërkonin humorin e Fadil Hasës, duke shkelur në vende të largëta si Australi, Zelandë e Re apo Kanada.
Ajo që do të quante vuajtjen më të madhe shpirtërore, do të ishte komunikimi i munguar me publikun. Por fati e desh që të interpretonte në filmin Mao Ce Dun, në rolin e një cigani, Hekuranit. “ Ishte fat i rrallë që më ra në dorë ai skenar filmi. Ishte zgjedja e autorit që kishte shkruar skenarin, Besnik Mustafaj dhe regjisorit Besnik Bisha që më dha rolin. Kur bëra kinoprovën gjeta artistë me emër për rolin e Hekuranit.
U thashë: “Keni ardh’ kot! Ai rol është i imi. Unë nuk di të luaj sekretarë partie, ama arixhiun e qaj!” Ishte i jashtëzakonshëm si rol. Jam prezantuar në disa festivale ndërkombëtare filmi me të”-ka kujtuar Hasa, i cili ka interpretuar edhe role të tjerë kinematografikë si Shabani te “Zëvendësi i Grave” më 1987-ën dhe më 2009-ën, dy vjet pas filmit “Mao Ce Dun” do të interpretonte në filmin “Kronikë Provinciale”. “Kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera me regjisorët, sepse ndonjëherë ne artistët jemi të vështirë”- do të pranonte ai.
Përtej roleve në skenë, roli më i bukur ka qenë ai i babait të dy vajzave. Pasi bashkëshortja e tij u nda nga jeta në moshë të re, vetëm 44 –vjeçare , atij iu desh të kujdesej më shumë për të bijat. “Jam fatlum që jam babai i dy vajzave” ka thënë ai, ndërsa të bijat sot kishin vendimin e vështirë për t’u kërkuar kolegëve të babait, të përkujdeseshin për homazhet që do të mbahen nesër në Durrës.
Kolegët, me të cilët u ngjit me qindra herë në skenë e që ai do i vlerësonte si të jashtëzakonshëm, me dhimbje i kanë dhënë lamtumirën kolegut të tyre, të cilin e kanë quajtur “baba në skenë”.
Muharrem Hoxha, partneri i pandashëm i tij në skenë, por edhe miku me të cilin ndante bisedat dhe kafetë, ka shkruar se pikërisht sot ishte një nga ato ditë që e kishin lënë të takoheshin për të pirë kafe. “ “Kam shkuar këto ditë në shtëpinë e tij dhe ishte mirë, kemi qeshur, kemi bërë humor si zakonisht. Sot do shkoja në 11 sërish për vizitë. Por më mori vajza e tij në telefon dhe më dha lajmin e zi, të ndarjes nga jeta.”
Për një tjetër koleg, Roland Koçën, ishte një ditë e hidhur. “Ai që na bënte shumë për të qeshur, sot na ka mbytur në lot”, u shpreh Koça.Aktorja Aishe Stari, e cila kishte ndarë jo vetëm skenën me Hasën, por edhe vitet e gjimnazet, humbja i kalon përmasat e estradës. “Kjo nuk është një humbje vetëm për teatrin e Durrësit por Shqipëria humbi një aktor të madh”, ka thënë ajo.
I pyetur nëse e kishte marrë atë për të cilën kishte punuar për shumë e shumë vite, Fadil Hasa do të përgjigjej “Ndonjëherë them se kam marrë edhe më shumë.” E nuk do i referohej çmimeve, por gëzimin që merrte shpirti i artistit sa herë përmbushte atë që donte publiku, duke qenë gjithnjë në oponencë me qeveritë që vijnë. Ashtu si humori e satira kanë qenë për shekuj…
*Përgatiti Suadela Balliu