Gjykata Administrative e Apelit po eliminon të gjitha pengesat që kanë dalë rrugës për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese. Tavolinat e Presidencës dhe të Kuvendit vijojnë të jenë bosh, pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka përpiluar akoma listën përfundimtare me kandidatët e renditur sipas meritës. Në mbledhjen e fundit të mbajtur, KED argumentoi se pikëzimi dhe renditja e garuesve do të kryhet vetëm pasi të shprehet edhe Gjykata Administrative e Apelit për rastet e ankimimit.
Kjo pasi ka shumë nga ata kandidatë të skualifikuar nga gara me vendim të KED, të cilët i janë drejtuar gjykatës për të shfuqizuar këtë vendim. “Vendimmarrja e Këshillit lidhur me fillimin ose jo të procedurave të vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve të lejuar për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shtyhet për në një mbledhje tjetër, duke konsideruar mundësinë e ushtrimit të ankimit nga kandidatët pranë Gjykatës Administrative të Apelit dhe kohëzgjatjen e procedurave të gjykimit”, njoftoi KED pak ditë më parë. Por Gjykata Administrative e Apelit është vënë në lëvizje që procedurat për ringritjen e “gardianes” së Kushtetutës të mos mbeten pezull për shkak të vendimmarrjes së saj. Nga një kërkim që gazeta bëri në faqen zyrtare të Administratives, rezultoi se për gjashtë kandidatë për Kushtetuesen, të skualifikuar nga gara, janë dhënë vendimet. Bëhet fjalë për Vasil Bendon, Prel Martinin, Rexhep Bekteshin, Petrit Kajën, Dedë Kasnecin dhe Sinan Tafajn. Për të gjithë këta emra, vendimet janë marrë në një kohë relativisht të shkurtër. Brenda një jave Gjykata Administrative e Apelit është shprehur me vendim për subjektet ankimues, duke përshpejtuar kështu procedurat për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese. Ende nuk dihet se çfarë vendimi është marrë për ankimuesit, nëse është vendosur në favor për ta apo iu është rrëzuar kërkesa për t’u rikthyer në garë. Kjo pasi vendimet nuk janë akoma të aksesueshme online. Por duhet të kujtojmë që pak ditë më parë gjykata në fjalë rrëzoi KED për rastin e Zhaklina Petos, duke e rikthyer këtë të fundit në garë. E rëndësishme është që Gjykata Administrative e Apelit po i shqyrton pa humbur kohë ankimimet e kandidatëve, duke ia lënë kështu topin KED. Tani është në dorën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të mblidhet dhe të vendosë se çfarë do të bëjë me kandidatët për të cilët gjykata është shprehur me vendim dhe të hartojë listat për Kuvendin e Presidencën.
Arsyet e skualifikimit të kandidatëve
KED i ka skualifikuar nga gara gjashtë kandidatët e lartpërmendur për shkak të problemeve me pasurinë, por edhe për probleme me procedurat. Për Sinan Tafajn KED ka konstatuar se
ka mungesë dokumentacioni ligjor për të justifikuar burimet e ligjshme të pasurisë së tre personave huadhënës prej të cilëve ka përfituar hua në vlerën rreth 60 mijë euro, nga 20 mijë prej secilit. Për Dedë Kasnecin KED thotë se nuk ka ushtruar për të paktën 15 vjet veprimtari profesionale nga ato të parashikuara si kusht për lejimin e kandidimit për në Gjykatën Kushtetuese. Petrit Kaja dhe Gëzim Allaraj janë dy kandidatët e tjerë për në Kushtetuese të cilët kanë sfiduar KED lidhur me vendimet që u ndalojnë garën pasi janë konstatuar mungesa dokumentacioni justifikues ligjor për pasuritë. Ndërsa Kristaq Traja dhe Vasil Bendo nuk kishin dorëzuar pranë ILDKPKI brenda afatit 15 ditor deklaratat e plotësuara të pasurisë. /Mimoza Ibra