Kjo është e veçanta e këtij sistemi. Ndërsa “uji i pastër” ka shkuar në fund, mbi sipërfaqe të tij gëlojnë “zvarranikë shumëkëmbësha”, peshkaqenë “grykës”, “edepsëzë”, “gungaçë” “elifimatrakë”, “derdimenë” “halabakë”! Askush të mos çuditet, sepse tashmë jemi mësuar të dëgjojmë vetëm show dhe qëndrojmë përpara ekraneve te televizioneve gati pafrymë siç qëndruam aq sa, gati harruam të marrim frymë duke parë se kur do të lëvizi fadroma në drejtim të lokalit të Kokëdhimës! Fillojnë e mbarojnë gazetat dhe emisionet e lajmeve me të rejat nga “fronti i Kajmakut”! Po ç’është ky Kajmak?
Kajmaku nuk është një “kriminel”, por dikush që ka blerë disa rrënjë ullinj apo mollë dhe midis disa mijërave euro disa prej tyre ishin fallco. Mundet të mos jetë kështu, mundet të jetë më keq akoma, por në fund të fundit ai është një Kajmak i vetëm dhe nuk po i shkakton këtij vendi atë dëm kolosal që po i shkakton kjo klasë politike. Kajmaku është një “gjethe” që përpëlitet në kënetën e mbushur me “batak” për të mbijetuar! I pëlqen Kajmakut të jetë kryetar, sepse Kajmaku ka marrë shembull nga “halabakët” e këtij sistemi “batak”! Kajmaku, e di që është pjesë e një sistemi “batak”, “përderisa në këtë sistem të tillë, thotë ai, hanë bukë edhe ata që kanë bërë zullume dhjetëra e qindra herë më shumë nga unë, pse edhe unë të mos bëhem kryetar bashkie”? Jo kaq sa ka bërë Kajmaku, por edhe sikur një shkrepëse të ketë përvetësuar në shtetin fqinj, ai nuk ka të drejtën morale të bëhet kryetar dhe vetë të mos pranojë për një gjë të tillë. Por Kajmaku, e sheh që ata mbi të janë më shumë se “kajmakë” dhe kërkon edhe ai, që në fakt krahasuar me ata që ka në krye dhe ata të opozitës, është shumë herë më “i larë”! Kërkon të bëhet dikush nga fundi, por kreun e mbajnë të tjerët më të rrezikshëm se Kajmaku. Mirë që Kajmakut i pëlqen kjo punë, po institucionet e shtetit, pse i kanë dhënë certifikatën e garancisë Kajmakut? Po të ishte vetëm Kajmaku, do t’ia bënim hallall institucioneve të shtetit që syrit të tyre “vigjilent” i shpëtoi, po sa Kajmakë të tjerë kanë kaluar nën “hundën” e këtyre institucioneve? Kajmakut i janë turrur të tërë “kakamët” e opozitës duke zënë radhën që kush e kush të flasë më parë për Kajmakun, njësoj sikur të kishin zbuluar çelësin e rrotullimit të globit. Mirë bëjnë, sepse ata, ku ta gjenin që ju gjend një punë dhe kanë me çfarë të merren.
Ata nuk merren me “zjarrin” që i ka rënë brenda shtëpisë së tyre dhe të gjithë janë sulur brenda e jashtë kufijve për të gjetur diçka e të kënaqen duke “lëpirë” gishtin e lyer me pak kajmak! O kuje kuje, o politikë e carfalitur ku të tërë “kakamët” vijnë vërdallë si “p… nëpër brekë” për të kapur Kajmakun. E gjetën këtë “gjethe” apo edhe disa të tjera të tipit “Valdrin” dhe turren “triumfatorët”. Ja të ballafaqojmë të dy show-t, që janë brenda një dite, ajo e “Sudes” e cila ka ardhur me “veshje moderne” dhe ajo e Kajmakut. “Sudja” e fondacionit “Besa”! Mbas 25 vitesh, u ngjall përsëri “Sudja”! Siç thuhet, në këtë skemë mashtrimi janë përfshirë më shumë se 800 vetë. Po kush e beson këtë? A mund të besohet në një sistem ku krizë mbi krizat, është kriza e besimit? Kush janë këta fajdexhinj? Mos janë ata që nuk kanë të hanë bukë? Absolutisht jo! Këta që japin e marrin para me fajde, janë në politikë, janë bixhozçinj, janë trafikantë që merren me lloj lloj marifetesh dhe duan të shtojnë të ardhurat e tyre. Kanë dalë deri tani në skenë disa avokatë, disa gazetarë bixhozçinj, disa biznesmenë ndërtimi, etj Por, po të shtrihet më tej filli i lëmshit, atëherë do të shohim se deri ku shkojnë këto fije! Por, siç duket, deri tani nuk janë të interesuar shumë që t’i hyjnë këtyre pisllëqeve sepse të gjithë janë të ndotur!
Nuk i hyjnë këtyre gllabëruesve të djersës së qytetarëve sepse kanë përpara probleme më të “mëdha” siç është ai i Kajmakut! Të rrojë sistemi i “kakamllëqeve” që përditë e për orë pjell “Sude” e “kajmakë” në një kohë që krimi është ulur këmbëkryq, që vjedhjet janë bërë modë, që askush nuk ka një fije besimi për të ardhmen, që nuk dëgjon gjëkundi një fije shprese. Më keq akoma të zhyturit në këtë “batak” deri në grykë, me gojën e një “peshkaqeni” bëjnë moral për të mbajtur në këmbë sistemin. A nuk po e shohim se cilët janë ata që bëjnë moral çdo ditë e çdo natë? Këta, janë bixhozçinjtë e këtij sistemi, të majtë e të djathtë që ndërsa “zogjve” u hedhin nga një grusht me “thërrime” që ata të turren pas tyre bixhozçinjtë të vazhdojnë “lojën” e tyre me milionat! Duke qenë se është një sistem prej “bataku” të gjitha të palarat i fsheh brenda vetes, gjithçka të pisët mban brenda tij. Të gjithë fajtorët hiqen “të pafajshëm. Meqë jemi tek Kajmaku, mos vallë Kajmaku është i fundit? Kajmaku, nuk është as i pari as i fundit. Koha do të tregojë se sa Kajmakë të tjerë do të dalin nga ky “llum-sistem”. Të gjithë, mazhorancë dhe opozitë, “peshkojnë” dhe bëhen çakërrqejf kur ata kapin ndonjë “kajmak”sepse “peshkaqenët” janë kudo, përtej e këtej, por as “peshkaqenët nuk e hanë njëri tjetrin”, as “korbi” korbit, nuk ja nxjerr sytë” ! Të gjithë këta pjella të “batakut” përplasin krahë e këmbë, shpërndajnë “stërkala” sa andej këtej, vetëm e vetëm që të ndotin, të ndotin dhe vetëm të ndotin që “uji i pastër” të mos duket, që ai të mos dali kurrë mbi sipërfaqe, që atë të mos e shohë Evropa. A thua se beson kush që këto “pjella” kërkojnë të integrojnë Shqipërinë në Evropë? Opozita, po të jetë për alternativat e saj për një qeverisje më të mirë, e ka marrë “ferra uratën” dhe në pamundësi të kësaj që nuk ka dhënë asnjë grimë kontribut për këtë “biçim” demokraci, nuk i mbetet gjë tjetër përveçse të “gërmojë” Kajmakë për të goditur mazhorancën, kurse mazhoranca nga ana e saj, i krijon kushte opozitës që të mos mbetet pa punë! Mazhoranca nga ana e saj, duke ditur që ka një opozitë me “brekë nëpër këmbë”, u jep atyre shkak që të diskreditojnë jo vetë mazhorancën, po mbi të gjitha Shqipërinë, e cila sikur i mbaruan tërë intelektualët e tjerë dhe kanë mbetur vetëm “Kajmakët” për në krye të pushtetit lokal apo në krye të institucioneve.
Mos vallë kaq shumë i digjet barku opozitës që në krye të pushtetit lokal apo të institucioneve të vijnë njerëz me figurë të pastër morale? Absolutisht jo! Ja p.sh të marrim Kajmakun dhe kryetarin e opozitës, që është as më shumë e as më pak një figurant që ka mësuar vetëm katër llafe përmendësh. Ky figurant, është shquar për vjedhje, është përgjegjës për katër të vrarë, është shquar për shumë bëma, është shquar si njeri pa ide, jo bindës, por thjesht një papagall që i përsërit e i përsërit për ditë e muaj të njëjtat fjalë. Ajo që rëndon edhe më shumë pozitat e tij, është se ky “Dudum” shkatërroi edhe opozitën e bashkuar, dhe i bëri partitë opozitare “fërka- fërka” si partia e tij që vështirë se ato do ta marrin veten në të ardhmen. Ky është shërbimi më i madh që ky kryetar opozite i ka bërë Ramës që kërkojnë ta heqin Ramën vetëm me ndonjë zë të çjerrë, që bërtet nga mesi i turmës”Rama Ik”! Kajmaku, përpara Bashës, apo edhe përpara çdo kryetari të partive opozitare, është lule. Kajmaku kërkon të qeverisë një bashki, kurse një “lugat” si Basha, kërkon të qeverisi Shqipërinë! Të bën përshtypje fakti që tek shikon këtë gjendje ku është katandisur kjo politikë sot, nuk ka se si të mos të të bëjë përshtypje urrejtja dhe mllefi që kemi grumbulluar kundër njëri tjetrit.
Jemi të gatshëm që të hamë njëri tjetrin të gjallë, t’i sajojmë të paqena, ta denigrojmë e mos t’i lëmë “kusur”, sepse duke e dëmtuar sa më tepër kundërshtarin fitojmë për vete reputacion të mirë, pa e kuptuar as vetë opozitarë apo qeveritarë, që të gjithë janë të pabesueshëm dhe dëgjohen veresie! Po afron dita që Shqipëria të hapi negociatat me BE-në.. Kriza, nuk po zgjidhet por po thellohet. Të shohim a do e mbajë fjalën presidenti, i cili para pak kohesh u shpreh: “Po të mos zgjidhet kriza, do të vendos një buqetë me lule tek varri i Ramiz Alisë!” Të shohim a do e mbajë fjalën! Ai, tha edhe atë që do t’ia dorëzojë karrigen e tij vetëm Rexhep Mejdanit! “Pronari” i Presidencës, ja jep atë me qira, vetëm Mejdanit! Ky President, ka mbetur “havadan” siç ka mbetur edhe data e “zgjedhjeve” të 13 tetorit. Mos vallë kjo, është më pak e rëndësishme nga ajo që të gjithë i janë turrur Kajmakut? Çështja “Kajmaku” zgjidhet shpejt por problemi është si do t’i vejë halli kësaj gjendje, kësaj krize e cila i ka përfshirë të gjitha, edhe politikën, edhe ekonominë, edhe institucionet, edhe organet ligjvënëse e ligjzbatuese, e mbi të gjitha është krizë e besimit! Si do të mund të dalim nga kjo gjendje? Me batuta e me kërcënime, nuk zgjidhet, as nga ndërkombëtarët, nuk zgjidhet e ca më pak nga një Kajmak. Me siguri diçka do të ishte bërë, sikur politika të merrej me zgjidhjen e krizës së gjithanshme me atë seriozitet që merret me çështjen “Kajmaku”e të tjera “kajmakizma” fare të parëndësishme.
Nga Pandeli Bardhi