Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme në Lezhë një takim me drejtuesit e qarqeve veriore të Partisë Socialiste. Burime bëjnë me dije se në këtë mbledhje Rama ka udhëruar shkarkimin shumicës së drejtorëve rajonalë në qarkun e Shkodrës.
Mësohet se procesi i shkarkimit dhe emërimit të drejtorëve do të ndiqet nga deputeti socialist Luan Harusha, i cili mund të jetë edhe një emër i mundshëm që do të zëvendësojë Pjetrin në postin e koordinatorit politik të kryeqendrës së veriut.
Në mbledhje Rama ka folur edhe për ndryshimet që do të pësojë ligji i dekrìminalizimit, duke marrë shkas nga rasti i Valdrin Pjetrit. Kreu i qeverisë është shprehur edhe më herët se ky rast do të shërbejë për të ndryshuar ligjin, në mënyrë që të përcaktohen afatet e verifikimit shtetëror të kandidatëve.
Pjetri akuzohet nga PD se ka qenë i dënuar në Itali dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekrìminalizmit përpara kandidimit për postin e kryebashkiakut të Shkodrës. PD ka publikuar disa dokumente nxjerrë nga kuestura e Firences, që tregon se kryebashkiaku i Shkodrës Valdrin Pjetri ka qenë dënuar në Itali me 18 muaj bùrg dhe një mijë euro gjobë për shpërndarje dròge.
Pjetri i ka mohuar edhe akuzat ndaj tij, ndërsa në një reagim publik kryeministri Edi Rama është shprehur se deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht.
Në mbledhje kryeministri ka kërkuar edhe një verifikim të IKMT, bashkive dhe policisë në gjithë vijën bregdetare për ndërtimet e paligjshme. Rama është ndalur veçanërisht tek bashkitë që kanë qenë drejtuar nga Partia Demokratike duke u rikujtuar kryebashkiakëve të rinj që të mos largojnë njerëzit nga puna. Po ashtu një fokusim të gjerë në takimin e mbajtur jashtë ‘syrit’ të kamerave është folur edhe për administratën duke thënë se duhen persona të kualifikuar.
Në takim ka qenë i pranishëm edhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i cili është shprehur se regjistrimi elektronik i anëtarësisë duhet të kryhet brenda datës 5 shtator, ndërsa kryetarët e organizatave socialiste duhet të zgjidhen deri në 16 tetor, ku duhet të përfshihen njerëz me integritet.