Imazhet tronditëse të zjarreve në pyjet e Amazonës kanë shkaktuar një emocion në mbarë botën. Pylli kryesor tropikal në botë është një pjesë thelbësore në luftën kundër ngrohjes klimatike dhe ekuilibrit natyror, por ai është më e i kërcënuar se kurrë nga një shpyllëzim intensiv.
Mijëra persona u mobilizuan në Brazil për të luftuar kundër qindra vatrave të reja të zjarrit në pyjet e Amazonës që po shtrihen në të gjithë vendin, ndërkohë që presioni ndërkombëtar është rritur për të nxitur presidentin brazilian, Jair Bolsonaro të reagojë.
Një ekip që ka mbërritur të premten në shtetin e Rondonias (veriperëndi) ka konstatuar praninë e shumë zjarreve
Banorët e Porto Velhos u shprehën të shqetësuar për renë e tymit që mbizotëron në qytetin kryesor të zonës. “Jam shumë e shqetësuar për mjedisin dhe shëndetin tonë”, deklaroi Delmara Conceiçao Silva.
Fati i pyllit më të madh tropikal të planetit është në qendër të diskutimeve të samitit të G7 që po zhvillohet në Biarritz, në jugperëndim të Francës.
Sipas të dhënave të fundit që prej muajit janar janë regjistruar 78 383 zjarre, një rekord që prej vitit 2013.
“Më shumë se gjysma e këtyre zjarreve ndodhen në Amazonë, ku jetojnë më shumë se 20 milionë persona. Rreth 1 663 vatra të reja zjarri janë njoftuar të enjten dhe të premten”, sipas Institut Kombëtar brazilian për Kërkimin Hapësinor (INPE).
“Shifrat e reja u publikuan pas njoftimit nga Bolsonaro për dërgimin e ushtrisë. Ushtria braziliane ka nisur dërgimin e trupave dhe mjeteve në Amazonë për neutralizimin e zjarreve”, njoftuan ministrat e Mbrojtjes dhe të Mjedisit duke ilustruar planet për të fikur vatrat.
Në terren do të jenë 44 000 ushtarë të cilët do të ndihmohen nga avionë ushtarakë.
Nga ana tjetër presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, në një fjalim të shkurtër për median, theksoi se “zjarret në pyllin e Amazonës, që nuk janë mbi mesataren e atyre që kanë rënë në 15 vitet e fundit, nuk mund të shërbejnë si pretekst për të imponuar sanksione ndërkombëtare kundër Brazilit”.
Zjarret gjigante që kanë goditur pyllin e Amazonës që prej 15 ditëve kanë shkaktuar një valë tronditjeje në mbarë botën.
Shpesh cilësuar si “mushkëria e planetit”, Amazona shtrihet në një sipërfaqe prej 5,5 kilometra katrorë, gati tetë herë më shumë se madhësia e Francës, shtrirë në nëntë vende, edhe pse 63% e sipërfaqes së saj ndodhet në Brazil.
Bëhet fjalë për pyllin më të madh tropikal në botë dhe është një tempull i biodiversitetit.
Thelbësor për rregullimin e klimës, veçanërisht nga kapaciteti i tij për thithjen e dioksidid të karbonit, ky pyll parësor është i kërcënuar nga shpyllëzimi, zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë, aktivitetet minerale dhe aktualisht zjarret jashtë kontrollit.