Të vërtetat dhe të fshehtat e pa rrëfyera të legjendës së futbollit vlonjat. Nga pjesëmarrja e parë në Spartakiadën e Pionierit më 1973, e deri ditën që la futbollin, më 17 dhjetor 1989. Fillimet në shkollën e muzikës, goli i parë dhe tragjeditë e jetës së tij
Nga Ergys Alushi
Pak kush e di se pas pamjes së legjendës Vasil Ruci, pas pamjes së tij “të qetë” fshiheshin ngjarje në kufijtë e tragjedisë, që do ta formësonin si njeri, do ta plotësonin si sportist dhe si njeri. Sepse dhimbja e nxit njeriun të mendojë. Të menduarit e bën njeriun të mençur. Mençuria e bën jetën të durueshme. Ai me golat e tij na ka dhuruar lumturi gjithë ne të tjerëve, ndërkohë që vuante! E çfarë kanë më shumë heronjtë!
“Si krahasim vite të shkuara, kur vinte Brazili në Europë dhe barazonte ishte habi e lajm. Ishin autoritar të padiskutueshëm. Por sot jo, sepse po mundet dhe në Brazil. Po kështu këtë autoritet të Evropës ndaj nesh e shpartalloi Vasil Ruci e kompani. Dhe kjo është një meritë e madhe që duhet vlerësuar për ta vendosur në panteonin e futbollit vlonjat e shqiptar” Bejkush Birçe
“Të lutem se do të më vësh në sherr me shokët, bëj një libër për të gjithë ekipin, jo vetëm për mua”. Kështu më thoshte Vasili sa herë që takoheshim dhe unë i kërkoja që të më fliste për jetën e tij. Ishte një merak që i shoqëroi takimet tona qysh në ditën e parë, kur i thashë që kisha nisur të shkruaja një libër për jetën e tij. I kishte merak shokët e tij të ekipit, ata me të cilët kishte shkruar një histori të madhe. Dhe mua më duhej t’ia shpjegoja e ta qetësoja sa herë që e takoja. Që kisha shkruar gjerë e gjatë për shokët e tij dhe për ekipin në librin “Kampionët e Vlorës 1930-1990”, dhe që do të shkruaja përsëri edhe në librin që i kushtohej atij. Kisha punuar shumë për të kërkuar në shtypin e kohës të gjithë informacionin sportiv që ishte shkruar ndër vite për Vasil Rucin.
Që nga pjesëmarrja e tij e parë në Spartakiadën e Pionierit në vitin 1973, e deri ditën që la futbollin, më 17 dhjetor 1989. Ndeshje, gola, kronika, reportazhe, intervista, emocione, statistika. Ishin të bollshme e të mjaftueshme për të ndërtuar jetën e një sportisti. Dhe nga gazetat në terrenin e përditshëm. Aty ku Vasil Ruci gëzonte një famë të madhe që nuk ishte zbehur as pas më shumë se 30 vjetësh. Në memorien e vlonjatëve ishin ende të freskëta golat e tij dhe emocionet që ai u kishte dhuruar. Shumë prej atyre që pyeta, jetonin ende me nostalgjinë e viteve të “Flamurtarit” të madh, ku Vasili ishte pjesë e tij. Edhe këto ishin të bollshme e të mjaftueshme për të ndërtuar jetën e një sportisti në memorien e një qyteti.
Por, edhe për mua Vasil Ruci kishte qenë një idhull. Në fëmijërinë time edhe unë, ashtu si shumë të tjerë doja që fanellë të kisha numrin 7. Të gjithë në lagjen e shkollën time donim të kishim në fanella numrin 7. Të gjithë që luanim në fushë, kundërshtarë apo në një skuadër, kishim numrin 7. Edhe kur shkoja në stadium, nuk ia ndaja sytë. Prisja me padurim ndeshjen e radhës për të imituar çfarë kisha parë nga ai në ndeshjen e fundit. Kam dalë edhe për ta pritur atë dhe gjithë ekipin, kur vinte nga ndeshjet jashtë Vlorës me rezultate pozitive. E kështu, me informacionin e bollshëm sportiv të gazetave, famën e madhe që gëzonte në nostalgjinë e vlonjatëve dhe kujtimet e mia për idhullin e fëmijërisë, shkova herën e parë për të takuar Vasil Rucin dhe për t’i treguar se kisha filluar të shkruaja një libër për të. Në fillim e kishte të vështirë. Dilema ishte e madhe. Pa e kuptuar as unë vetë, i kisha dhënë Vasilit mundësinë e artë për të vendosur se çfarë do të bënte me jetën e tij. Do t’i tregonte të gjitha apo do të heshte përgjithmonë. Në çdo takim të radhës, më thoshte “Eh, Ergys nuk t’i kam treguar të gjitha”. Dhe unë bëhesha edhe më shumë kureshtar për të fshehtat e jetës së këtij njeriu. Pas çdo takimi, ndaheshim duke më thënë: “Shumë pak e dinë dramën e jetës sime”. Dhe fillonte e tregonte. Fillimisht për prindërit e ndarë. Pas shumë takimesh më tregoi për fëmijën e vdekur në lindje. Një ditë vendosi të më rrëfente edhe për motrën e sëmurë në shtëpi. Sinqerisht, unë nuk kam ditur asgjë nga këto që më tregonte. E kam njohur shumë pak Vasil Rucin. Aq sa mund të mbaja mend nga futbollisti idhull i fëmijërisë dhe nga ato pak kontakte që kam patur me të gjatë punës time si gazetar dhe ai si trajner apo specialist futbolli. Mendimi i parë që më erdhi aty për aty ishte, se kisha pasur të drejtë që kisha vendosur të bëja një libër për Vasil Rucin. Intuita nuk më kishte gabuar. Fati kishte qenë me mua. Ndryshe, jeta e këtij njeriu do të kishte mbetur ndoshta e pa treguar asnjëherë dhe adhuruesit e tij nuk do të kishin mundur ta donin dhe nderonin edhe më shumë për ato që ai kishte kaluar në jetë. Ai ishte si shumica e njerëzve të famshëm. Nuk mund të bënte përjashtim. Dramat e jetës familjare i bëjnë më të fortë dhe u japin kurajën e forcën për të shkëlqyer aty ku kanë talent. Ia arrijnë edhe pse pengesat e pamundësitë janë të shumta. Ndaj edhe bëhen të famshëm.
Unë nisa të jetoja me dramat e jetës së Vasil Rucit. Thithja nga tymi i cigareve që ai nuk e pinte, por “e hante” (e si të mos e “hante” duhanin ai njeri, nëse ai ishte “ilaçi” që ia qetësonte shpirtin). Në sytë e mi ai u bë edhe më i madh. Ishte dyfish i famshëm. Bashkë me dhimbjen dhe trishtimin për jetën e vështirë që kishte kaluar, idhulli im i fëmijërisë dhe nostalgjia e mijëra e mijëra vlonjatëve e shqiptarëve, ndjeva edhe lumturi. U ndjeva i lumtur se do t’u jepja mundësinë njerëzve që do të lexonin këtë libër, për ta dashur këtej e tutje dyfish Vasil Rucin, për ta patur dyfish idhull, për ta respektuar e për t’i qenë dyfish mirënjohës. Ai na kishte dhuruar lumturi gjithë ne të tjerëve kur vetë vuante! E çfarë kanë më shumë heronjtë! Nuk e teproj aspak. Edhe heronjtë njerëz janë, si gjithë ne të tjerët. Prej mishi e kocke. Me të mirat e gabimet e tyre. Lexoni librin dhe vendoseni mendjen në vitet kur ai luante futboll dhe njëkohësisht vuante. Vasil Ruci ka edhe shumë e shumë copëza jete për të treguar, nga jeta futbollistike dhe familjare. Por kaq mjafton për të dhënë një shembull. Për të dhënë mesazhe. Për të reflektuar gjithsecili që e lexon këtë libër. Jo vetëm për Vasilin, por edhe për veten, për shoqërinë. Për rolin që ka në jetë, kontributin që ka dhënë në qytet, çmimin që ka paguar, të mirat e të këqijat që e kanë shoqëruar, emri që ka lënë. Vasil Ruci e dha shembullin e tij. Dhe unë në mbyllje di vetëm t’i them: Faleminderit Vasil Ruci! Faleminderit që ma besove mua rrëfimin e jetës tënde. Jeta dhe historia janë në faj me ty, ndaj duhet të qëndrojnë kokulur para teje. Ti ke fituar. Dhe fituesi nuk gjykohet. Ti ke qenë vërtet bota në kohën që bota ishte e ndaluar!
Veshë për muzikë apo këmbë për futboll, kjo ishte çështja!
Për djalin e vetëm, pasi dhe fëmija i katërt do të lindte vajzë, prindërit kishin plane të mëdha. Donin që ai të shkollohej e të kishte një jetë të mirë. Mentaliteti shqiptar, e jo vetëm, funksiononte sipas një rregulli të pashkruar. Puna e mirë sillte një grua të mirë, një pagë të kënaqshme, një vend të respektuar në shoqëri dhe kushte të mira jetese. Për ta realizuar ëndrrën e bukur për djalin e vetëm, e regjistruan në shkollën e muzikës, në klasën e pestë dhe për ta larguar nga loja me top që djali i vogël kishte filluar ta kishte aq shumë qejf. Por, djali i imët, më shtashkurtri nga shokët e klasës, nuk kishte veshë për muzikë. Në orën e muzikës, ai e kishte vështrimin e mendjen nga dritarja për të parë djemtë që luanin futboll në oborrin e shkollës. Në shtëpi nuk e zinte me dorë librin e muzikës.
“Ishim klasë për muzikë, për të gjitha veglat. Dikush mësonte për fizarmonikë, një tjetër për violinë e të tjerë për piano. Ishim klasë e mirë. Shumë prej tyre janë bërë muzikantë të zotë. Kurse unë, nuk kisha vesh për muzikë, nuk kapja dhe nuk interpretoja dot asnjë notë. Unë shkova në klasë të pestë në shkollën e muzikës “Naim Frashëri”, pasi katër vitet e para i kisha kryer në shkollën “Halim Xhelo”, kurse ata të klasës kishin që në klasën e parë që ishin regjistruar për muzikë. Më kot mundoheshin në shkollë e në shtëpi të më ngulisnin në mendje notat e muzikës, unë mendjen e kisha tek topi”.
Me gjithë mosdëshirën e djalit të vogël, prindërit këmbëngulnin duke shpresuar se bashkë me rritjen në moshë do t’i shtohej dhe dëshira e dashuria për muzikën. Ai duhej ta mësonte një vegël, të bëhej një artist i mirë. Dhe kështu djaloshi i vogël shkonte në shkollë për muzikë, por heshtur në mendjen e tij thurrte ëndrra për golin e bukur, për t’u bërë një futbollist i madh. Dallohej nga fëmijët e tjerë kur luante futboll, atje, në fushat e vogla dhe rrugicat e ngushta të lagjes së tij. Një nga lagjet më të bukura e të qeta të qytetit. Me shtëpi të vogla, shumica njëkatëshe, të mbuluara gjatë gjithë vitit me gjelbërimin e hardhive, pemëve e luleve të shumëllojshme. Rrugica të ngushta e të drejta lidhnin shtëpitë me njëra tjetrën, banorët e të cilave e njihnin të gjithë njëri-tjetrin duke qenë në shumicën e rasteve familje, fise apo të lidhura me krushqi e miqësi. Fusha e tij më e dashur ishte fusha e gjimnazit “Halim Xhelo” që ndodhej në hyrje të lagjes, fundi i së cilës kufizohej me rrugën transballkanike. Luante në lagje bashkë me Gramoz Gjonin, Petraq Bifshën, Fatmir Shkurtin, Fatmir Hashon, Gjergji Lekën, Fredi Shkurtin e shokë të tjerë.
Luante aq mirë sa kishte raste që më të mëdhenjtë se ai në moshë e merrnin për të luajtur me ta, sepse ishte teknik dhe “qen i golit”. Çfarë nuk bënte që të bashkohej me shokët për të luajtur futboll. I duhej të sajonte lloj-lloj arsyesh për të shmangur autoritetin e babait që i kërkonte shkollën, se “topi, top të lë”, përkujdesjen e mamasë për djalin e vetëm, “me lojën me top do më thyesh krahun a këmbën a të keqen nëna”, apo dhe i duhej të krijonte aleanca me motrat më të rritura, që ato të mos i tregonin babait kur i duhej të dilte nga shtëpia, me gjithfarëlloj justifikimesh vetëm e vetëm që të luante futboll. Ndeshjet lagje me lagje ishin nga më të bukurat për kohën. Ishin ndeshje të forta e me rivalitet deri në fund, ku nuk mungonin edhe grindjet e grushtet “lagje me lagje”, sipas parimit “ta tregoj unë kur të vish nga lagjja ime”.
“Kur isha i vogël, ashtu si çdo fëmijë, gëzoja kur vinte Viti i Ri. Babai dhe mamaja më sillnin në pakot që shpërndaheshin nga qendrat e punës nga një top, sepse po të ishte kukull apo lodër tjetër, unë qaja me të madhe, dhe ata shkonin dhe e ndërronin me top. Si djalë i vetëm që isha prindërit e motrat kujdeseshin shumë për mua. Në shtëpi mbanim një dhi të cilën nëna e milte çdo mëngjes dhe pasi e përziente me të verdhën e vezës së freskët nga pulat që kishim në shtëpi, më jepte të pija një gotë esëll. Shpesh motrat më ngacmojnë me të qeshur duke më kujtuar se “ti na i haje të gjitha vezët”. Ajo dhi më ka rritur deri ditën që këshilli i lagjes na e ndaloi ta mbanim dhe u detyruam ta thernim. Në shtëpi kishim një sallon të madh dhe bashkë me një nga motrat e mia, që ka ndërruar jetë, luanim se kush e mbante më shumë topin me një këmbë. Arriti një ditë që motra e mbajti topin 100 herë kurse unë 150 herë dhe ky ishte një gëzim i madh, që për mua atëherë ishte një “garë” brenda familjes, por që në vitet më vonë, kur u rrita dhe u bëra futbollist profesionist, më shërbeu për cilësinë e lartë teknike që zotëroja.
Nga më të mirët e Spartakiadës së Pionierit
Në klasën e tetë, do të aktivizohet për herë të parë “zyrtarisht”, në një aktivitet futbolli, në Spartakiadën e Pionierit të vitit 1973, që ndeshjet e futbollit i zhvilloi në Vlorë. Mbi 200 futbollistë të moshave 13-14 vjeç, manifestuan aftësitë në stadiumin “Flamurtari”. Ky aktivitet i rëndësishëm kombëtar u karakterizua nga një luftë e fortë sportive, pasionesh e përpjekjesh të futbollistëve të vegjël, në rrugën drejt majave të mjeshtërisë sportive. Me qindra ishin spektatorët që i ndoqën nga afër. Dhe Vasil Ruci ishte një ndër fëmijët që do të tërhiqte vëmendjen e specialistëve, të cilët panë tek ai cilësitë e një futbollisti të së ardhmes. Bashkë me të në ekip do të ishin edhe Kreshnik Çipi, Polo Ruci, Petraq Bifsha, Ylli Troqe, Zaim Abazi, Alfred Shkurti, Gjergji Leka, Erik Haxhiraj, Sandër Sallata, Arqile Babe, Perlat Musta, Gramoz Gjoni, Viktor Seferi, Roland Ziaji, Nadir Hamzaraj. Ekipi i Vlorës del në finale me ekipin e Korçës.
deshja e rregullt përfundon në barazim dhe korçarët tregohen më të saktë në gjuajtjet e 11-metërshave duke fituar kështu kupën e Spartakiadës. Në gazetën “Sporti Popullor”, të datës 21 gusht 1973, në artikullin“Cilësia e lartë sportive i ka bazat në moshat e hershme”, ndër të tjera do të shkruhej; -“Megjithëse Vlora zuri vendin e dytë, paraqiti një ekip simpatik që demonstroi lojëra të bukura e me koncept. Ky sukses flet edhe për punën e palodhur të trajnerit Skënder Ibrahimi. U dalluan në këtë ekip futbollisti i talentuar Kreshnik Çipi, Arqile Babe, Vasil Ruci, Gramoz Gjoni, etj”. Në klubin e futbollit “Flamurtari” ishin të gjithë të bindur se një brez i ri futbollistësh cilësorë po formonin bazat e një ekipi që premtonte shumë. Bashkë me trajnerin Skënder Brahimi, një meritë të madhe në përgatitjen e këtij brezi, midis të cilëve ishte dhe Vasil Ruci, kishte dhe trajneri Skënder Elmazi. Ai ishte njeriu, trajneri, i cili përgatiti këta djem dhe u mësoi të luanin një futboll të veçantë total, teknik dhe përshtatur me “antropologjinë” vlonjate.
Një nga shokët e tij të ekipit të Spartakiadës, e kujton kështu finalen me Korçën: “Mbaj mend, ishte viti ‘73 dhe unë atëherë luaja me të rinjtë e “Flamurtarit”. Vasili pak kohë kishte që ishte afruar në këtë ekip, sipas moshës që kishte. Po në këtë vit u zhvillua Spartakiada e Pionierëve (para të rinjve), datëlindja 1958 dhe poshtë, ku mori pjesë edhe Vasili, Kreshniku, por edhe Perlat Musta. Ka edhe të tjerë që nuk po zgjatem t’i kujtoj. Mbaj mend se ajo ngjarje sportive ishte e para ku Vasili merrte pjesë zyrtarisht. Luante në sulm. Ndoshta ishte ndeshja midis para të rinjve të “Flamurtarit” dhe atyre të “Skënderbeut”. U dha një goditje dënimi në favor të ekipit tonë, pranë portës në drejtim të Pallatit të Sportit sot.
Vasili u bë gati të gjuante goditjen e dënimit, kur pranë topit ishte një lojtar tjetër i Vlorës. Duhej goli me çdo kusht. Vasili ishte tërhequr pak mbrapa me shikimin drejt portës ku do të gjuante topin. Arbitri vendosi topin tek pika që ai e mendonte dhe shtyu barrikadën kundërshtare të “Skënderbeut” nëntë metra më tej. Por, pikërisht në këtë kohë kur arbitri kishte kthyer krahët dhe kur portieri i “Skënderbeut” kishte orientuar barrikadën, shoku i Vasilit, që ndodhej pranë topit, lëvizi në çast vjedhurazi topin disa centimetra nga vendi ku ishte caktuar, aq sa rrezja e drejtimit të topit dilte nga përplasja me barrikadën. Dhe nuk zgjati shumë. Arbitri i ra bilbilit për gjuajtjen e topit dhe Vasili e dërgoi atë drejt e në trekëndëshin e majtë të portierit. Ky ishte goli i parë zyrtar i Vasilit, i cili çeli serinë e golave të ardhshëm, njëri më i bukur se tjetri. Atëherë Vasili ishte 15 vjeç.”
Golin e parë në një fushë të vërtetë, në një veprimtari zyrtare e me kundërshtarë të vërtetë, Vasili do ta festonte gjatë. Kur u kthye në lagje, ai ishte heroi i saj. Shokët e rrethuan me gëzimin e moshës duke prishur qetësinë e rrugicave të ngushta. Për ata, Vasili kishte shënuar një gol të vërtetë, nga ata gola që çdo fëmijë në atë moshë e ëndërron me sy hapur e me sy mbyllur. Pas atij goli, shoku i tyre ishte një sulmues i vërtetë, që nuk do ta kishte problem t’u shënonte portierëve të lagjeve të tjera, me porta “hungareze” apo dhe të mëdha se sa ato të futbollit, ku në vend të shtyllave ishin gurët apo grumbuj rrobash. Që nga ajo ditë Vasilin do ta shikonin me një sy tjetër në lagje.
“Unë nuk i plotësoja kriteret për të shkuar në Institut të Fizkulturës. Më vendosën metrin e më thanë, “Ik se je i shkurtër”. Mua më zgjodhën nga Spartakiada për të shkuar në Institut. Në ditët që zhvillohej Spartakiada në Vlorë erdhën dy specialistë nga Tirana për të parë e përzgjedhur më të mirët. Më përzgjedhin mua dhe Kristaq Milen nga Berati, edhe pse ishim më të shkurtër nga të tjerët. Si të gjatë, që plotësonin kriteret e gjatësisë që duhej për në Institut, zgjodhën Hasan Likën, Agustin Kolën e të tjerë. Pasi më përzgjodhën, shkova në Tiranë dhe plotësova të gjitha dokumentet për në Institut. Në kohën që prisja të më vinte bursa nga Tirana për në Institut, filloi dhe viti arsimor dhe unë nuk u regjistrova për në vitin e parë të gjimnazit. Kur bursa erdhi në këshillin e lagjes, atë ia dhanë një tjetri, edhe pse ishte me emrin tim. Unë e di se kujt ia dhanë. Ishte djali i një njeriu që ishte në pushtetin e kohës. Ku ta kërkoja të drejtën time? Kush do shkonte për mua në këshill? Zemërimin e kisha të madh, por nuk kisha fuqi. Mbeta pa Institut, por edhe pa gjimnaz, ndaj u detyrova të shkoja të punoja në “Frutore”. Isha vetëm 15 vjeç. Nga “Frutorja” shkova në Shkollën e Rezervave për të mësuar për mekanik. Në përfundim të shkollës një-vjeçare më punësojnë në NPA. Ndërkohë isha grumbulluar me ekipin e parë.
Gjithçka ndodhi brenda dy viteve. U shkaktua nga një padrejtësi kur më mohuan Institutin. Dhe padrejtësitë e kryera nga të tjerët më ndoqën gjithë jetën. Më prishën ëndrrat. Sikur të mos më mjaftonin padrejtësitë që më kishte rezervuar jeta. U detyrova të punoja në një moshë fare të re. Kur shokët e mi shkonin në shkollë, unë shkoja në punë. Ngrihesha herët që pa gdhirë. Familja jetonte në kushte të vështira ekonomike. Ishim pesë fëmijë për t’u ushqyer. Prindërit ishin ndarë. Mendoja shpesh për të mos e vazhduar më futbollin. Kisha të tjera halle. Por, pasioni për lojën që më pëlqente aq shumë dukej se e kishte mësuar shumë mirë rrugën për në fushën e futbollit. Në shumë raste, trajtimin ushqimor që fitoja nga sporti e çoja në shtëpi, si një ndihmë për familjen time. Ashtu si shumica e sportistëve të Vlorës, që ishin të varfër, por bënin sport me zemër. Jetë më halle, sport me sakrifica. Vlora duhet t’ju jetë mirënjohës dhjetëra sportistëve që me barkun bosh e halleshumë në familjet e tyre nderuan emrin e qytetit dhe e ngjitën atë në majat e sportit shqiptar. Me vështirësi e nxirrnim muajin. Motrat u martuan njëra pas tjetrës dhe unë e nëna mundoheshim që të mos u mungonte asgjë. Atëherë shtuam dhe një dhomë në shtëpi dhe më kujtohet që paradite punoja në shtëpi e pasdite shkoja në stërvitje, kam luajtur dhe një ndeshje kundër Lezhës ndërkohë që gjithë paraditen kisha “gatuar” llaç e beton për shtëpinë.”