Komisioni i Prokurimit Publik ka pezulluar tenderin 18 milionë euro, për ndërtimin e rrethrrotullimit të Shqiponjës, pas ankesës së kompanisë Alb Building. Në tenderin, që u zhvillua në datën 22 korrik morën pjesë 8 kompani, ku oferta më e ulët u paraqit nga Alb Building me 1.72 miliardë lekë ose 14.2 milionë euro, ndërsa e dyta ishte e Salillarit me 1.77 miliardë lekë.
Por pas shqyrtimit të ofertave, Autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi për mospërmbushje të kritereve dy ofertat më të ulëta duke shpallur fituese kompaninë e vendit të tretë, vëllezërit Hysa, e cila ka ofruar ta ndërtojë veprën me 1.77 miliardë lekë.
Por ky klasifikim është kundërshtuar nga kompania Alb Building, e cila e ka ankimuar shpalljen e fituesit nga ARRSH në Komisonin e Prokurimeve. Ashtu siç parashikon procedura, me marrjen e ankesës KPP ka pezulluar menjeherë shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, deri në vendimin përfundimtar që do marr pas shqyrtimit të dokumentave.
Ky është tenderi i tretë për rrethrrotullimin e Shqiponjës, por tashmë me një projekt të ndryshuar. Projekti i parë që parashikonte ndërtimin e mbikalimit u tenderua dy herë. Tenderi i parë u fitua nga kompania fantazmë “Dh Albania” me një vlerë 20 milionë euro, aq sa fondi limit, por pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve qeveria u detyrua ta anulojë kontratën.
Në tenderin e dytë kostoja e ndërtimit zbriti ndjeshëm deri në 14 milionë euro, por autoriteti rrugor i skualifikoi të gjitha ofertat si të pavlefshme. Menjëherë pas anulimit të garës së dytë, ministria e Infrastrukturës njoftoi se do të ndryshonte projektin teknik të veprës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.
Projekti i ri mban të njëjtën vlerë si ai i mëparshmi, por në vend të mbikalimit rrethrrotullimi Shqiponja shndërrohet në nënkalim.
Top Channel