Rreziku rus për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit duket se po rritet nga dita në ditë. SHBA dhe shumë vende të tjera kanë dhënë alarmin në këtë aspekt duke sjellë jo pak raste dhe reagime të ashpra të Moskës. Në tetor Bashkimi Evropian do të vendosë nëse do të hapen apo jo negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por një vendim negativ shihet si një rrezik për rritjen e kërcënimit rus.
Revista “International Politics and Society”, me seli në Gjermani e Bruksel dhe që është pjesë e fondacionit gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung”, i ka kushtuar një artikull kësaj çështjeje duke treguar rreziqet që i kanosen Ballkanit. Sipas saj, ndikimi i BË-së në Ballkan është duke u ulur pikërisht në një kohë kur rajoni ka nevojë për inkurajim në lidhje me perspektivat e saj evropiane. Revista ka kujtuar zhvillimin më të fundit në të cilin Rusia ka ndihmuar miken e saj më të madhe në rajon që është Serbia duke i siguruar mjete ushtarake. Kjo ka treguar se Rusia ka ende miq në Serbi dhe se kreu i Rusisë, Vladimir Putin është duke hedhur “grepin” drejt Ballkanit. “Brenda BE-së, ka shumë deklarata kontradiktore në lidhje me procesin e zgjerimit, të bëra nga zyrtarët kryesorë evropianë. Në këtë mënyrë, ajo fton Moskën të bëhet aktive në rajon dhe t’i largojë vendet e saj nga perspektiva e tyre evropiane. Udhëheqësit politikë të Ballkanit kanë mbetur të interpretojnë deklaratat e zyrtarëve evropianë, në varësi të rrethanave dhe zhvillimeve në vendet e tyre. Vetëm ky konfuzion hap derën për çdo lojtar tjetër gjeopolitik që të futet. Dhe kjo vjen në një kohë kur është e rëndësishme të pranohet se disa vende kanë bërë një rrugë të gjatë në përpjekjet e tyre për t’u bërë anëtaretë BE-së. Maqedonia e Veriut mori një ndryshim të emrit, duke zgjidhur argumentin tre-dekadash me Greqinë, për Shqipërinë, reforma të dhimbshme gjyqësore që tronditën sistemin politik në vend”, shkruhet në revistë. Sipas artikullit, nëse BE vijon të ecë me këtë rritëm mund të humbasë shumë dhe ndikimi rus të rritet në Ballkan. Revista shkruan se BE duhet të reagojë sa më shpejt në mënyrë që të fitojë betejën gjeostrategjike në Ballkan.
“Një Ballkan i qëndrueshëm dhe i zhvilluar në mënyrë demokratike mund të shihet vetëm si një fitore për BE-në. Ai gjithashtu do të theksojë se të gjitha përpjekjet që BE ka bërë në dekadën e fundit, nuk janë të kota dhe se rajoni përfundimisht po shkon në drejtimin e duhur. Përndryshe, Brukseli rrezikon të përballet me një konkurrencë të ashpër politike nga Moska dhe përpjekjet e përsëritura ruse për të minuar vlerat evropiane në rajon”, ka shkruar revista “International Politics and Society”. Dështimi i BE-së në Ballkan: Kujtojmë se para dy muajsh Këshilli i BE vendosi të mos ndiqte rekomandimet e Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo ndodhi për shkak të trazirave politike që ndodhën në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, kësisoj Këshilli e shtyu vendimin për më vonë këtë vit. Siç shprehet edhe revista, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë investuar shumë përpjekje në integrimin e tyre në BE. Fillimi i bisedimeve për hapjen e negociatave u cilësua si një fitore e madhe për Tiranën dhe Shkupin. Revista ka theksuar se diskursi dhe vendosmëria e palëkundur e rajonit ndaj BE-së dhe NATO-s ka acaruar Moskën në të kaluarën. “Rasti më i dukshëm ishte anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe përpjekja e dështuar për grusht shteti në tetor 2016. Në maj të këtij viti, gjykata malazeze dha dënime me pesë vjet burg për dy politikanë të opozitës pro-ruse për përfshirjen e tyre në komplot”, thuhet në shkrim. Fill pas këtyre ngjarjeve Putin ka nisur të provojë forma të ndryshme për rritjen e ndikimit gjeopolitik në Ballkan. /Arbjona ÇIBUKU