Kurrkush nuk besonte, se periudha e qëndrimit në pushtet në Romë të këtij koalicioni të çuditshëm do e kalonte mesataren e jetëgjatësisë së qeverive italiane. Aleanca e pamundshme e Legës radikale të djathtë dhe Lëvizjes Pesë Yjet, që është populiste e majtë ka qenë e predispozuar të rrëzohet që në krijim. Italia po shkon tani drejt qeverisë së 66, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Me gjoksin hapur drejt pushtetit?
Matteo Salvini, është politikani më pa skrupull që ka nxjerrë Italia në dekadat e fundit. Ai ia kalon edhe Silvio Berluskonit, i cili nuk e njihte mirësjelljen dhe qëndrimin e rezervuar. Kohët e fundit për shembull, kur predikon urrejtje ndaj të huajve, Salvini ka filluar të mbajë në dorë rruzare. Ndërkohë që ai ndodhet në konflikt me Vatikanin, sepse mendon, se Papa është shumë i majtë. Megjithatë bosi i Legës mendon se pak pseudo-religjioni do e zbukuronte nacionalizmin e tij.
Gjatë gjithë verës ai e nxorri veten të zhveshur nëpër plazhet e Italisë duke e fotografuar barkun e madh me kamerën e celularit. Kritikëve të tij u tha se barku i tij është barku i një proletari, duke bërë sikur ky politikan profesionist dhe mjeshtër i rrjeteve sociale të ketë pasur ndonjëherë të bëjë me klasën punëtore. Ai ka po ashtu si ata dashuri për verën dhe makaronat. Dhe duket se e njeh mirë shijen e njerëzve të vet: Burrat e shohin si maço, kurse gratë si rrëmbyes zemrash. Një furçë vullgariteti nuk e ka dëmtuar kurrë Italinë.
Aktrimi është përllogaritur mirë dhe sondazhet i japin të drejtë ministrit të Brendshëm dhe kryetarit të partisë: Nëse do të zhvillohen zgjedhje të reja, atëherë ai me siguri që do të arrinte të merrte pushtetin në Romë me ndihmën e ekstremistëve të djathtë të “Vëllezërve të Italisë”. Atëherë miku i Putinit do e çojë politikën italiane aq djathtas, sa që në Bruksel, do të duhet të merren pas Hungarisë dhe Polonisë edhe me shtetin e së drejtës në Itali, një nga vendet që ka themeluar Europën.
Pesë yjet janë idiotët në detyrë
Cilësimin si idiotët më të mëdhenj politik e merion Lëvizja Pesë Yjet. Në më pak se një vit lëvizja i ka humbur gjysmat e zgjedhësve që i kanë shkuar Salvinit. Ishte e qartë që në fillim që kjo kështu do të ndodhte. Në vend që t’i tregonte kartën e kuqe që në fillim nxitësit të urrejtjes në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Lëvizja përkrahu një politikë që duhet t’i ketë trembur zgjedhësit me orientim të majtë. Vetëm që të merrte pjesë në qeveri, Lëvizja shiti integritetin politik dhe frymën, që kishte Lëvizja disparate.
Pesë Yjet u kthyen në këtë koalicion në trampolinë për marshimin e Salvinit drejt pushtetit. Ata nuk kishin asgjë për t’iu kundërvënë cinizmit dhe dinakërisë së shefit të Legës, asnjë ide, asnjë forcë luftarake, asnjë personel. Edhe për vetë standartin e ulët të politikës në Itali, prezantimi i Lëvizjes Pesë Yjet ishte për të mëshiruar. Ata e meritojnë perëndimin, nëse pasojë e dobësisë së tyre nuk do të ishte fakti që në pushtet mund të vijë një njeri që ka afinitet me fashizmin.
A mund të pengohet Salvini?
Pesë Yjet dhe socialdemokratët së bashku mund të shpëtojnë fytyrën e tyre, dhe bashkë me të edhe vendin, nëse tani në vend që të mbaheshin zgjedhje të reja, të krijohej një koalicion alternativë. Ata kanë shumicën e mjaftueshme për këtë. Vetëm se Pesë Yjet i urrejnë socialdemokratët me sa duket më shumë, se sa radikalët e djathtë, gjë që nga pikëpamja ideologjike nuk mund të shpjegohet dhe nga pikëpamja politike është budallallëk. Socialistët nga ana tjetër kanë nevojë për dikë që do të bënte bashkë vendin e përçarë dhe do të bënte politikë pavarësisht nga kampi ku bën pjesë.
Teorikisht një gjë e tillë do të ishte ende e mundshme, praktikisht është e pabëshme. Kryeministri Conte që sapo dha dorëheqjen e quajti Salvinin në fjalimin e tij të lamtumirës, oportunist politik dhe e akuzoi për mungesë kulture politike. Por ai dhe shokët e tij e dinin që më parë që ai ashtu ishte! Kush do të ulet me djallin në tavolinë, ka nevojë për një lugë më të gjatë se sa e Contes dhe e shokëve të tij.
Fatkeqësi për Italinë dhe për Europën
Salvini luan me emocionet e italianëve dhe përpiqet që tu mbushë mendjen atyre se mungesa e aftësisë për të bërë reforma dhe mali me borxhe që ka vendi nuk janë faji i tij. Dhe ata janë të gatshëm për të besuar teori të tilla konspirative për forcat e errëta që ndodhen jashtë Italisë. Për gjithshka që shkon keq, ministri i Brendshëm bën përgjegjës të huajt, si për shembull migrantët.
Salvini kërkon ta ndajë vendin nga komuniteti i demokracive europiane, kërkon ta izolojë ndërkombëtarisht dhe njëkohësisht t’i fshikullojë zgjedhësit me pseudo luftën kundër Brukselit dhe disiplinës së buxhetit. Kjo është një lojë shumë e rrezikshme, sepse borxhet italiane jo vetëm që mund ta trondisin euron, por mund të çojnë në falimentin monedhën e përbashkët.
Çështja është nëse kostot në rritje të financimit mund ta bëjnë Salvinin që të bëhet i arsyeshëm, apo në llogaritë e tij ai e ka përfshirë edhe rrëzimin e euros. Sidoqoftë me rënien e qeverisë së Romës, dhimbja e kokës në Bashkimin Europian është bërë edhe më e madhe duke shtuar edhe një vatër tjetër krize. “Porca miseria” thuhet në italisht./DW