Plasin skandalet në Fondacionin BESA në Shqipëri. Ky fondacion jep kredi për qytetarët e thjeshtë, duke mos pasur procedura aq të komplikuara sa bankat. Për këtë arsye shumë qytetarë janë drejtuar aty, por së fundmi është zbuluar një skemë mashtrimi. Dje policia njoftoi se ka arrestuar 7 pjesëtarë të fondacionit, pasi përmes mashtrimit fituan 3.7 milionë euro. Në prangat e uniformave blu përfunduan drejtoresha e një prej degëve të filialit të Fondacionit, 4 oficerë kredie dhe dy ndërmjetësues, ndërsa është shpallur në kërkim sekseri.
Më konkretisht, u arrestua, Albana Imami, 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë drejtoreshë në një nga degët e filialit të “Fondacionit BESA”; Orkida Driza, 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive; shtetasi me inicialet B. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit; M. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit; M. H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit; E. V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit; A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza do t’i komunikohet në ambientet e burgut. Po ashtu është shpallur në kërkim edhe një person tjetër.
Ja si mashtrohej
Hetimet ndaj punonjësve të filialit të stafit të fondit “BESA”, nisën rreth një muaj më parë. Kanë qenë drejtuesit e këtij fondacioni ato të cilët, pasi kanë marrë informacion mbi këtë skemë mashtrimi, kanë bërë kallëzim penal në prokurori. Ata kanë thënë se një pjesë e stafit të një filiali në kryeqytet kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit prokuroria nisi hetimet. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në dokumentet e sekuestruara janë gjetur shumë shkelje. Sipas hetuesve, deri më tani nga hetimet nuk rezulton të ketë përgjegjësi nga drejtuesit e Fondacionit që është themeluar në vitin 1994, dhe që është specializuar në mikrokredi. Sipas të dhënave zyrtare, Fondacioni ka lëshuar në total rreth 600 milionë euro kredi. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se Albana Imami, në pozicionin e drejtoreshës së njërës nga degët e filialit të fondacionit, kishte krijuar këtë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndaluar kanë lëshuar kredi në mënyrë fiktive dhe klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi. Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga drejtoresha e degës, oficeret e kredisë dhe sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti. Shuma e kredive që janë dhënë nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën 2.000.000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në rritje. Nga Drejtoresha e Degës, Albana Imami, janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milionë euro. Të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen për veprat penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milionë euro. Ndërkohë njoftohet se vazhdojnë hetimet intensive për evidentimin e përmasave të kësaj skeme mashtrimi dhe përftimit nëpërmjet këtyre kredive fiktive.
Përfshirja e Gent Sejkos
Përveç bankave, legjislacioni shqiptar lejon dhe ngritjen e kompanive të tjera financiare që mund të merren me procesin e kredidhënies. Në vendin tonë ka disa shoqëri të tillë, mes të cilave dhe Fondacioni BESA. Por teksa bankat kalojnë në disa filtra, këto fondacione duket se janë jashtë kontrollit. Institucioni përgjegjës që duhet t’i monitorojë është Banka e Shqipërisë. Gazeta po tregon me fakte sesi Sejko lejoi batërdinë me “Veneto Banka”, ndërsa tani rezulton se ka mbyllur sytë dhe përballë Fondacionit BESA. Të gjitha paligjshmëritë në vend duket se bëhen nën hundën e Gent Sejkos. Guvernatori do mbahet mend si më i dështuari, pasi Fondacioni ka vite që operon dhe Banka ndonëse bën inspektime, nuk ka marrë asnjë masë.
BESA dhe Soros
Fondacioni BESA është krijuar fillimisht nga Fondacioni Soros. SOROS mbërriti në vendin tonë që prej 1992 me qëllim ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe për të inkurajuar nismat sociale, nën drejtimin e miliardierit hungarezo-amerikan Geroge Soros, që ka shtrirë rrënjët me “programet” e saj kudo. Në fillim të vitit 1999 George Soros krijoi fondacionin BESA i cili do të operonte si një entitet juridik, si organizatë joqeveritare, jo politike dhe jo fitimprurëse, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Fondacioni BESA filloi aktivitetin e tij në maj 1999 me VKM, Nr.207 datë 28.04.1999 kur projekti i Mikrokredisë Urbane (filluar që prej vitit 1994) u transferua tek Fondacioni BESA me themelues Fondacionin SOROS. Ky fondacion ka operuar si një institucion kredidhënës, duke shpërndarë kredi në biznese të ndryshme. Në fakt fitimi vjetor i këtij fondacioni dikur ka qenë 24 për qind për çdo kredi të dhënë duke thyer rekordin e marzhit të fitimit. /Elisjeda Kiko