Beteja e Izet Haxhisë me gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Tiranë pritet të përfundojë sërish te Këshilli i Lartë Gjyqësor. I akuzuari për vrasjen e Azem Hajdarit ju drejtua Apelit, pasi Shkalla e Parë vendosi të mos lejojë gjykimin tij në liri. Javën e parë u mbaj seanca në Apel, por pati tensione, pasi Haxhia kërkoi largimin e trupës gjyqësore dhe në veçanti të relatorit Asim Vokshi, me argumentin se janë në konflikt interesi dhe kanë lidhje me Sali Berishën.
Haxhia akuzoi Vokshin se bashkëshortja tij ka punuar në studion ligjore të Argita Berishës, vajza e Sali Berishës. Ndërkohë, që ky i fundit është ndër të akuzuarit kryesorë të kësaj çështje. Për anëtarët e tjerë, Haxhia pretendon se janë në konflikt interesi, pasi janë kolegë të Fatmira Hajdarit, e cila është anëtare e Gjykatës së Apelit dhe është bashkëshortja e Azem Hajdarit. Trupa gjykuese vendosi të tërhiqet dhe çështja ka shkuar te kryetari i gjykatës, i cili do të duhet të vendosë nëse do pranojë dorëheqjen. Nëse po, atëherë ai duhet të kërkojë ndërhyrjen e KLGJ. Haxhia fillimisht ishte në Apel, ku ju dha e drejta e rigjykimit dhe në atë kohë u caktua një trupë e posaçme për të gjykuar Haxhinë. Tani avokatët kërkojnë të njëjtën gjë, me argumentin se anëtarët e Gjykatës së Apelit Tiranë janë në konflikt interesi. Nëse kreu i gjykatës nuk pranon dorëheqjen, mësohet se avokatët do dorëzojnë një kërkesë për përjashtimin e trupës gjyqësore. Në shtator pritet që të vendoset gjithçka, ndërkohë duket se Haxhia do jetë në dy procese gjyqësore njëkohësisht. Në datën 6 shtator është seanca e radhës në Gjykatën e Shkallës së Parë ku po bëhet rigjykimi i Haxhisë. Pritet që në këtë seancë të vendoset për mënyrën se si do të vijojë procesi, ku pritet të hapet drita jeshile për dorëzimin e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. Haxhia është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Tiranës që në vitin 2002.
Ai u largua drejt Turqisë ku pati një betejë të fortë gjyqësore atje dhe më pas u ekstradua në vendin tonë. Atij ju dha e drejta e rigjykimit dhe gjyqi ndaj tij vijon. Por beteja me drejtësinë duket se nuk do jetë aq e lehtë, pasi në seancën e fundit Haxhia u nxor nga salla, pasi akuzoi gjyqtarin se është njeri i Sali Berishës. Tani ka dy çështje vendimtare. Së pari mbetet të shihet nëse KLGJ do e marrë situatën në dorë sa i takon apelimit të masës së sigurisë. Ndërsa po ashtu data 6 do jetë vendimtare, pasi gjykata mund t’i hapë rrugë thirrjes së Berishës si dëshmitar. Haxhia ka kërkuar disa herë përballje me ish-kryeministrin. Akuzat ndaj Haxhisë: Izet Haxhia, ish-oficeri i Gardës Kombëtare, është i dënuar me 25 vjet burg për veprën penale të “vrasjes për shkak të detyrës”. Ai u arrestua më 3 qershor të vitit 2006 në shtetin turk, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Hajdarit. Arrestimi i tij në atë kohë u bë i mundur falë një bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe Interpol Ankarasë në mesditën e datës 3 qershor, në Kushadasi të Turqisë. Pak kohë pas vrasjes së Hajdarit, Haxhia u arratis përtej detit. Sipas informacioneve të policisë, ai jetoi në Stamboll deri në vitin 2004, ndërsa më pas lëvizi drejt Antalias, në Kushadasi, vend në të cilin dhe u arrestua. Haxhia ka qenë truproja e ish-presidentit Sali Berisha. Ai është akuzuar gjithashtu edhe për ngjarjet e 14 shtatorit të po atij viti, kur u sulmua Kryeministria. Madje, për këtë akuzë ai është hetuar nën masën e sigurisë arrest shtëpie. Izet Haxhia u largua nga vendi në fillim të vitit 1999, kur hetimet për vrasjen e ish-deputetit Hajdari po implikonin edhe vëllezërit Haxhia. Deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, pak metra larg selisë së PD-së në kryeqytet. Nga breshëritë e plumbave gjeti vdekjen dhe truproja i tij, Besim Cera nga Dibra. Për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit u akuzuan Jaho Mulosmani si dhe tre vëllezërit, Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia. /Kliti Topalli