Shërbimi Informativ Shtetëror ka zbardhur teknikat dhe procedurat që ndiqen për përgjimin e personave të korruptuar dhe me rrezikshmëri të lartë. Sapo përmendet SHISH, të gjithëve u shkon mendja te përgjimet. Por në raportin vjetor të publikuar së fundmi, Shërbimi u ka dhënë një përgjigje të gjithëve, duke deklaruar se në asnjë rast nuk ka përgjime jashtë kuadrit ligjor.
Sipas raportit, përgjimi i komunikimeve elektronike mbështetet në ligjin nr. 9157, datë 4. 12. 2003. “Ligji përcakton procedurat që ndiqen për përgjimin e komunikimeve elektronike nga institucione shtetërore informative të krijuara me ligj për realizimin e detyrave të tyre, si dhe procedurat që ndiqen nga personat e ngarkuar për përgjim. Parimet bazë për përgjimin e komunikimeve elektronike janë respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, nevojshmëria dhe proporcionaliteti, sekreti dhe objektiviteti në kryerjen e tij. Asnjë institucion publik, të cilit i lejon ligji përgjimin e komunikimeve, nuk mund të paraqesë kërkesa të tilla për çështje apo veprimtari të papërcaktuara nga ligji si fusha të detyrave apo veprimtarisë së tyre gjurmuese. Miratimi/refuzimi i kërkesës për përgjimin e komunikimeve elektronike kryhet nga Prokurori i Përgjithshëm, ose prokurori i autorizuar prej tij”, thuhet në dokument. Por SHISH ka treguar dhe ndryshimet që do të ndodhin me ngritjen e SPAK. Sipas raportit, të drejtën për të dhënë autorizime për përgjime do e ketë Gjykata e Posaçme e Apelit. Por kjo tregon se SPAK do ketë vetë në dorë përgjimin e pushtetarëve të korruptuar dhe bosëve të krimit. “Me krijimin e Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërkesa për përgjim depozitohet pranë Kryetarit të Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhënia e së drejtës për përgjim, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim, miratohet ose refuzohet nga Kryetari i Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ose nga zëvendëskryetari i saj”, thuhet në raport. Sipas SHISH, asnjë qytetar në Republikën e Shqipërisë nuk mund të jetë objekt përgjimi i komunikimeve elektronike, pa miratim nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Gjykatës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Informimi i SHISH
Në raportin e SHISH për vitin 2018, jepen detaje dhe nga puna që ka kryer institucioni. Aty është bërë një bilanc i informacioneve të mbledhura ndër vite. Për 2016-ën, SHISH-i ka prodhuar në total 2944 informacione për klientët brenda e jashtë vendit. Për klientët brenda vendit, produkti informativ i SHISH-it ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me: 378 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit. 289 informacione për ministritë e linjës 826 me destinacion Agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit. Për 2017-ën, SHISH-i ka prodhuar në total 3146 informacione për klientët brenda e jashtë vendit. Për klientët brenda vendit, produkti informativ i SHISH ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me: 267 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit. 274 informacione për ministritë e linjës. 1.060 me destinacion Agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit. Për 2018-ën, SHISH-i ka prodhuar në total 3601 informacione për klientët brenda e jashtë vendit. Për klientët brenda vendit, produkti informativ i SHISH-it ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me: 521 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit. 302 informacione për ministritë e linjës. 1099 me destinacion Agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit./Kliti TOPALLI