Thellohen përplasjet mes Presidentit Ilir Meta dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sa i takon 13 tetorit. Dy ditë më parë skadoi afati i fundit zyrtar për partitë politike që mund të regjistroheshin për zgjedhjet e dekretuara nga presidenti Meta më 13 tetor. Vetëm tre parti opozitare paraqitën kërkesat e tyre, duke u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që Partia Demokratike vijon të mbrojë pozicionin e saj, duke refuzuar Metën.
Madje, kryedemokrati Basha e ka sulmuar edhe në distancë kreun e shtetit, duke i përmendur prangat. Por i gjendur përpara kësaj situatë, presidenti Meta i është përgjigjur dje Bashës, i cili nuk u regjistrua për zgjedhjet dhe vazhdon të insistojë se zgjidhja e krizës kalon nga prangat për politikanët hajdutë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Meta shpreh bindjen se zgjedhjet janë e vetmja mundësi në demokraci për t’i dhënë fund krizave dhe ndëshkuar politikanët. “E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet. Pa zgjedhje nuk ka demokraci. Pa demokraci nuk ka drejtësi të pavarur. Pa të dyja së bashku nuk ka të drejta dhe ekonomi për të gjithë shqiptarët. Dhe as ndëshkim për politikanët”, deklaroi ai. Më tej, Presidenti Ilir Meta thumboi partitë politike që nuk njohin zgjedhjet, duke thënë se moszgjidhja i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe nuk e do çeljen e negociatave. “Moszgjidhja i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe nuk e do çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi ka për të humbur gradualisht pushtetin e paligjshëm politik, ekonomik dhe mediatik”, u shpreh ai. Ndërkohë, Meta e mbyll shënimin e tij në rrjetet sociale, duke kujtuar datën kur vendoset për negociatat e Shqipërisë, çka tingëllon si një paralajmërim i fundit për politikën shqiptare për gjetjen sa më shpejt të një kompromisi politik. “18 tetori po afron”, nënvizoi ai. Pra, duket qartë se Presidenti Ilir Meta ka tërhequr sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama Ramës dhe po shigjeton kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Thënë më troç, kreu i shtetit i ka shpallur luftë kryedemokratit Basha. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se si do të shkojë kjo përplasje.
Basha i përgjigjet Metës
Kreu demokrat Lulzim Basha u ka kthyer përgjigje gjithë akuzave të presidentit Ilir Meta. Gjatë një takimi me strukturat në Patoz, Basha vijon t’i qëndrojë mendimit të tij se djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit ishte një veprim i drejtë. Sipas tij, opozita nuk lufton për karriget e veta, por për të mirën e vendit dhe të qytetarëve. “Sa i përket pjesëmarrjes reale, përfshirë ata që janë detyruar me forcë, në Bashkinë e Patosit, refuzimi masiv ka arritur një tjetër rekord me 13 për qind. Protestat dhe vendimet për djegien e mandateve që vetëdijesuan shqiptarët se kjo luftë nuk bëhej për karriget dhe mandatet tona, nuk bëhej për privilegjet e pushtetit, por bëhej për qytetarët. Ndaj dhe protestat nuk u shuan, por u bënë gjithnjë e më të mëdha, gjithmonë e më të vendosura, gjithmonë e më të fuqishme, për të kulmuar me 30 qershorin. Kurrë më parë nuk kemi pasur një bashkim të tillë të qytetarëve. 85 për qind e shqiptarëve iu përgjigjen thirrjes tonë dhe refuzuan farsën, refuzuan regjimin e Edi Ramës. U bënë pjesë e shumicës “Rama ik””, deklaroi Basha. Kreu demokrat deklaroi më tej se bojkoti i 30 qershorit nga shumica e qytetarëve nuk tregon vetëm refuzimin që ata kanë ndaj kryeministrit Edi Rama, por sipas Bashës po bëjnë thirrje popullore për ndryshim. “30 qershori nuk është thjeshtë dhe vetëm refuzimi i Edi Ramës dhe regjimit të tij, nuk është thjesht një kryengritje masive popullore kundër mjerimit ekonomik që ai ka mbjellë, papunësisë, varfërisë. Është edhe një thirrje popullore për ndryshim”, nënvizoi Basha./ Rigels Seliman