Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka tronditur qytetin e Burrelit mbrëmjen e të dielës. Nga lënda plasëse, nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Shpërthimi ka dëmtuar xhamat e disa banesave në lagjen “Partizani”, pranë shkollës “31 korriku”.
Policia njofton se lënda eksplozive i ishte vënë një lokali, që ishte marrë me qira nga 35-vjeçari S. L. Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë krehur zonën, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 22.05 në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë për një shpërthim në një lokal në lagjen “Partizani” në qytetin e Burrelit. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ku ka rezultuar se: Në lagjen ‘Partizani’, Burrel, në lokalin ‘Bar-Kafe’, të marrë me qera nga shtetasi S.L, 35 vjeç, banues në Burrel, dyshohet se nga dritarja e tualetit të lokalit është hedhur një sasi lëndë plasëse, e cila ka shpërthyer.
Nga shpërthimi nuk ka njerëz të lënduar, vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkohë janë duke u marrë në pyetje 3 persona që mund të kenë dijeni për këtë ngjarje. Shërbimet e policisë po krehin zonën si dhe janë ngritur disa pika kontrolli. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentin e ngjarjes.