Konsultë disa minutëshe, kështu e përshkruan Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, ndalesën në aeroportin e Vjenës. Mediat kosovare raportuan se vëllai i kryeministrit ishte ndaluar nga policia austriake në bazë të një fletarresti nga Serbia, por Haradinaj thekson nuk bëhet fjalë për arrestim apo ndalim.
“Lajmi nuk është i vërtetë, ishte vetëm një konsultë disa minutëshe me policinë në aeroport. Nuk ka të bëjë as me ndalim dhe as me arrestim.Jam në Vjenë i lirë dhe duke u bazuar në planin tim”, tha Haradinaj për Klan Kosovën.
Ai falenderon autoritetet austriake për korrektesën e treguar.
“Falënderoj policinë dhe shtetin austriak për korrektësinë e vazhdueshme, si në këtë rast, ashtu edhe në mbështetjen e vazhdueshme të cilën ia kanë dhënë Kosovës pa rezervë.Mesazhi im për miqtë dhe dashamirët të shqetësuar, jam i lirë dhe jam shumë mirë. Shumë shpejt takohemi në Kosovë – i falënderoj të gjithë për mbështetjen”, përfundoi ai.