Thellohet skandali me koncesionin e kontrollit të pompave të karburantit në vend. Pak ditë më parë Ministria e Financave shpalli fituese kompaninë “Noa Control”, edhe pse kemi të bëjmë me një koncesion që gatuhet prej 3 vitesh. Zanafilla e projektit koncesionar nisi në dhjetor 2016 me një propozim të pakërkuar të kompanisë “Noa Control”, e cila u ofrua të zëvendësonte Drejtorinë e Metrologjisë në kryerjen e kontrollit të distributorëve të karburanteve.
Një vit e gjysmë pas propozimit, kompania private u shpërblye me bonus prej 10 pikësh, një praktikë tashmë rutinë e qeverisë Rama me referencë ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat. Kontrolli ligjor i instrumenteve shpërndarëse të karburantit është një ndër aktivitetet kryesore që i ka mbetur Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë në Shqipëri dhe arkëton çdo vit rreth 80 milionë lekë në buxhetin e shtetit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë e dha atë me koncesion në këmbim të një investimi dysheme prej vetëm 64.8 milionë lekësh për një periudhë 20-vjeçare.
Drejtoria e Metrologjisë është anëtare e një rrjeti organizatash ndërkombëtare në fushën e matjeve, të cilat kanë investuar ndër vite në përafrimin e legjislacionit, trajnimin e stafit dhe rritjen e kapaciteteve teknike. Vetëm për kontrollin e shpërndarësve të karburanteve, ky institucion zotëron shtatë laboratorë të lëvizshëm me vlerë mbi 73 milionë lekë dhe një staf të kualifikuar. “Noa Control” është themeluar në prill të vitit 2015 nga aksioneri i vetëm Gentian Sula dhe vepron si partnere në Shqipëri e kompanisë spanjolle “Applus”. Përgjatë tre viteve të operimit të saj, “Noa Control” ka arritur të sigurojë një autorizim nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë për kontrollin e matësave të ujit. Duke pretenduar për garë diskriminuese, një kompani me bazë në Zvicër e quajtur “Penzoil Trading” u ankua në Komisionin e Prokurimit Publik. Në fillim të tetorit, ky Komision pezulloi tenderin dhe kërkoi shpjegime shtesë nga Ministria e Financave.
Ankesat
Sipas ankesës së zviceranëve, kërkohej që operatorët ekonomikë të paraqesin certifikatë akreditimi të llojit ISO/IEC17020:2012 në fushën e inspektimit për verifikimin e shpërndarësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit. Kërkesa e mësipërme e cila specifikon fushën e veprimtarisë vetëm në inspektimin e shpërndarësve të karburantit, ngushton rrethin e operatorëve pjesëmarrës të cilët mund të jenë aktivë dhe në fushën e inspektimit të matësve në mjekësi apo në pikat e shumicës të terminalëve të shpërndarjes të karburanteve, duke qenë se në parim konsistojnë në të njëjtën lloj veprimtarie si ajo e kontrollit të matësave në shpërndarësit e karburanteve ndaj, duhet të lihet i hapur sektori ne të cilin ushtrohet inspektimi dhe në të cilin subjekti është i akredituar për të ofruar shërbim.
Gjithashtu, ky kriter i vendosur është haptazi diskriminues për ofertuesit e huaj përsa kohë kërkohet që certifikata në fjalë të jetë lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, një kërkesë kjo e mundur për t’u realizuar vetëm nga subjekte te regjistruara në Shqipëri, theksojnë zviceranët. Përveç kundërshtive në procesin e prokurimit, janë ngritur disa probleme edhe nga bizneset dhe shoqatat e mbrojtjes së konsumatorit. Një problem i ngritur është ai se nuk dihet se cili do të jetë përfitimi dhe cila është realisht leverdia e dhënies me koncesion, ndërkohë që, nga ana tjetër, po i jepet një privati një të drejtë që praktikisht i takon shtetit. Po kështu, janë ngritur shqetësime për shmangien në këtë rast nga detyrimi ligjor për konsultime me publikun dhe grupet e interesit si dhe përjashtimin e kompanive të huaja nga konkurrenca përmes kriterit për akreditimin.
Koncesioni i shkollave dhe targave
Pronari i “Noa Control” rezulton Gentian Sula, i cili ka në pronësi të tij dhe INTERSIG. I njëjti person dikur ka tentuar të marrë koncesionin e vendosjes së çipit në targat e makinave. Po në 2016 u tentua dhënia e targave me koncesion me vlerë 95 milionë euro për 35 vjet. Propozimi u bë nga “Porta Saber Albania” ku figuronte se 80 për qind të aksioneve i kishte Gentian Sula, i njëjti person që mori koncesionin e naftës. Po ashtu PD ka lëshuar akuza se ai është i përfshirë dhe në rikonstruksionin e shkollave të Tiranës. “Kush do t’i fitojë këto 14 milionë euro, kundër interesit të qytetarëve? I pari që ka firmosur kontratën me Bashkinë e Tiranës është Gentian Sula! Qytetarët e Tiranës duhet të dinë se ky është ndërtuesi i rezidencës luksoze të vilave në Kodrën e Diellit, ku jeton edhe kryebashkiaku hajdut Erion Veliaj”, tha pak kohë më parë Mateo Spaho. /Kliti Topalli