Mrekullia nuk ka ndodhur si me Ferencvaros përpara dy vitesh. Partizani eliminohet nga Champions League në turin e parë kualifikues përballë një Qarabagu shumë më të fortë, edhe pse të kuqtë patën disa shase për të realizuar, në harkun e 180 minutave.
Por, rasti më flagrant ishte në këmbët e blerjes së re, Solomon, që i vetëm përballë portierit ia dha topin në duar, duke gabuar fatalisht. Do të kishte qenë me shumë mundësi goli i kualifikimit. Pjesa e parë në Baku pa ekuilibër dhe shumë pak raste, me vendasit më kërkues.
Në 45′ e dyta, mbrojtja e kuqe nisi të shpërbëhej dhe erdhi goli i azerëve me Ozobic, ndërsa Solomon pati rastin deçiziv, por gaboi. Qarabag iu afrua golit edhe dy herë të tjera, por mungoi në finalizim dhe gjeti një super Alban Hoxha.
Të kuqtë pësuan në fund me kundërsulm golin e dytë me Quintana, i sapohedhur në fushë nga trajneri Gurbanov, që mbylli llogaritë.
Partizani zbret në Europa League, turi i dytë kualifikues, ku do të përballet me Sheriff Tiraspol.