Gjykatat shqiptare kanë nisur të konfirmojë ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke hedhur poshtë kësisoj të gjitha pretendimet e Partisë Demokratike, LSI dhe Presidentit Ilir Meta kundër zgjedhjeve. Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili hodhi poshtë si të paligjshëm dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve, si dhe pas njohjes së procesit nga SHBA-BE, tashmë janë gjykatat shqiptare, ato që po u vënë vulën e ligjshmërisë zgjedhjeve të 30 qershorit, duke konfirmuar mandatet e kryebashkiakëve të rinj.
Vendimet e gjykatave për konfirmimin si të ligjshëm të mandateve të drejtuesve të rinj të bashkive duket se do t’i japin fund edhe betejës së opozitës dhe Presidentit Ilir Meta për rrëzimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndryshe nga pretendimet e opozitës dhe Presidentit, gjykatat po konfirmojnë se, kryebashkiakët e rinj e kanë marrë mandatin në përputhje me Kushtetutën dhe përmes zgjedhjeve të ligjshme. Pas këtyre vendimeve, kryebashkiakët e PD-LSI do ta kenë tepër të vështirë të qëndrojnë në zyra me forcë, pasi mund të përballen me akuza penale.
Kryebashkiaket e certifikuar
Ndërkohë sot, Gjykatat i kanë vërtetuar mandatin edhe kryebashkiakut të Librazhdit Kastriot Gurra dhe të Fierit, Armando Subashi.
Gledian Llatja, i cili kandidoi dhe u zgjodh në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, është kryebashkiaku i parë që konfirmohet në detyrë për drejtimin e Bashkisë së Elbasanit, për katër vitet e ardhshme. Llatja kandidonte i vetëm për Bashkinë e Elbasanit e cila më herët është drejtuar për tre mandate Qazim Sejdini. Llatja ka vendosur vetë në lëvizje gjykatën në bazë të nenit 60 të ligjit për veteqeverisjen vendore, i cili parashikon që “Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij”. Po kështu, mandatin e kryebashkiakut e ka marrë dje edhe kandidati fitues për bashkinë e Kavajës, Redjan Krali. Ndërkaq, edhe kryebashkiakë të tjerë, të cilët janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si fitues, u janë drejtuar gjykatave për konfirmimin e mandateve të tyre.