Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura se reforma në drejtësi po ecën në rrugën e duhur dhe se në fund “produkti” i saj do të jetë ajo që të gjithë presin. Dje Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi një raport për klimën e investimeve të huaja në Shqipëri, por në të nuk lihet pa u prekur edhe reforma në drejtësi. Duke e përmendur fenomenin e korrupsionit si mjaft shqetësues përgjatë vitesh për vendin tonë, DASH thotë në raport se kjo gjë do të ndryshojë kur të përfundojë reforma në drejtësi.
“Korrupsioni është një problem i vazhdueshëm në Shqipëri, duke minuar sundimin e ligjit dhe duke rrezikuar zhvillimin ekonomik. Shqipëria renditet e 99-ta nga 180 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2018 të Transparency International. Përkundër disa përmirësimeve në indeksin e viteve 2013 dhe 2014, përparimi në trajtimin e korrupsionit ka qenë i ngadalshëm dhe i pasigurt. Shqipëria mbetet një nga vendet më të korruptuara në Evropë. Kalimi nga Parlamenti i amendamenteve kushtetuese në korrik 2016 për reformimin e sistemit gjyqësor ishte një hap i madh përpara dhe reforma, pasi të zbatohet plotësisht, pritet të pozicionojë vendin si një destinacion më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë”, thuhet aty. Departamenti Amerikan i Shtetit thekson në raport se përmes procesit të vetingut të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët me pasuri të pajustifikuara do të jenë jashtë sistemit të drejtësisë dhe kjo do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit. Në raport përmendet edhe fakti se Struktura e Posaçme Antikorrupsion po ngrihet dhe do të jetë e pavarur nga politika me qëllim që të godasë korrupsionin dhe krimin e organizuar në çdo nivel. Aty nënvizohet se kur reforma në drejtësi të jetë e kompletuar, atëherë efektet do të ndihen në të gjitha anët dhe vendi do të konkurrojë me vendet e tjera ndërkombëtare. “Procesi i vetingut në kuadër të reformës në drejtësi do të sigurojë që prokurorët dhe gjyqtarët me pasuri të pashpjegueshme, aftësi profesionale të pamjaftueshme ose ata që kanë lëshuar vendime të diskutueshme në të kaluarën, të largohen nga sistemi. Reforma po krijon gjithashtu një prokurori të pavarur dhe një njësi të specializuar hetimi për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pasi të zbatohet plotësisht, reforma në drejtësi do të dekurajojë korrupsionin, do të nxisë investimet e huaja dhe vendase dhe do të lejojë Shqipërinë të konkurrojë më me sukses në ekonominë globale”, vijon më tej raporti.
Klima e investimeve të huaja
Sipas raportit të DASH, sistemi gjyqësor i korruptuar ka ndikuar edhe tek afrimi i investitorëve të huaj. Aty nënvizohet se ata janë të shqetësuar sepse rregullat dhe ligjet ndryshojë shpesh.
“Investitorët raportojnë shqetësimet e vazhdueshme që rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose jo konsistente si mjete për të fshehur investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplota me komunitetin e biznesit; pronarët e bizneseve dhe shoqatat e biznesit shpesh theksojnë se nuk kanë marrë njoftim, kohë ose mundësi të mjaftueshme për angazhim në ndryshimet rregullatore dhe legjislative. Investitorët e mëdhenj të huaj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikën dhe shprehin shqetësimin rreth përputhshmërisë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri”, thuhet në raportin e DASH./ Mimoza Ibra