Përfundimisht Partia Demokratike, është kthyer në parti eksperimentale, me të cilën së fundi po luajnë emra dhe segmente të caktuara të sponsorizuara nga brënda dhe jashtë vendit.
Nga : Artur Ajzi
Kjo pasi ka 6 vjet që luhet me gjithçka të asaj partie, duke nisur nga simbolet, programi, imazhi, statuti, historiku, dhe gjithçka tjetër.
Zërat e fundit të dala nga PD, thonë se zoti Basha shumë shpejt do të përballet me kërkesën ultimative të zotit Berisha dhe shumicës së grupimit parlamentar, për tu larguar nga drejtimi i partisë, madje pa ardhur qershori këtij viti.
Zëra të tjerë thonë se, Lulzimi nuk ka në plan të largohet pa gjetur njeriun e duhur (si pasardhës) ai vetë për ta zëvëndësuar, pasi e ndjen se “puçin” e ka nga të larguarit.
Deklaratat e bëra nga lideri historik i PD zoti Berisha se “Basha duhet të largohet para zgjedhjeve lokale”, tregoi se Lulzimi e ka mbyllur llogarinë me shefin e tij, tregon se Lulzimi i ka mbyllur letrat politike me Doktorin, dhe se çdo ditë qëndrimi i tij në atë parti, është me kosto të lartë për të.
Në 6 vitet e drejtimit të Partisë Demokratike nga Lulzim Basha, kjo forcë politike ka qenë nën procesin e ndyrë të eksperimenteve të vazhdueshme të një njeriu të vetëm, që kryesisht pas daljes së mistershme nga “çadra e lirisë” dhe humbjes së thellë të 25 qershorit 2017, kishte vendosur të mos pyeste asnjë, madje as kumbarin e tij që e afroi dhe emëroi në krye të asaj partie.
Mungesa e aftësive, e programit, e ideve dhe stafit të aftë politikisht, intelektualisht dhe profesionalisht, e degraduan Partinë Demokratike të drejtuar nga zoti Basha, mungesa e një platforme të detajuar opozitare, lufta pa kompromis ndaj SHBA dhe BE, dhe zbatimi në praktikë e metodave markiste të drejtimit të partisë, ishin vetëm disa prej eksperimenteve, që sollën dështimin dhe degradimin e asaj partie.
Afrimi i një rrethi njerëzish pa asnjë lidhje me PD, dhe mungesa e stafit të pergatitur, e klasifikuan politikisht PD si një parti amatore , e zhytur në skandale.
Duke patur mungesë respekti dhe aftësish si kryetar partie dhe lider, Lulzim Basha nga dita e parë e ardhjes (e emërimit) si kryetar partie, ka nisur të eksperimentojë me partinë e idealeve të studentëve të dhjetorit 1990, ka nisur të zhbëjë pak nga pak vlerat dhe simbolet e asaj partie, ka nisur të përçajë dhe largojë personalitetet e asaj partie, duke mos u penduar kurrë për asgjë.
Mungesa e respektit ndaj strukturave të partisë, mungesa e respektit ndaj historisë së asaj partie, mungesa e ndjesive si politikan ka krijuar një klimë terrori psikologjik ndaj kujdo që i kujton atij zbatimin e statutit, zbatimin e normave partiake, zbatimin e kuotimit të vlerave dhe kontributeve për cilindo që bëhet pjesë e kupolës drejtuese.
Mbushja e partisë me shokët, miqtë dhe tarafin e kunatit apo mbushja e partisë me servilë të paskrupullt, dhe tentativa për të mbushur çdo zyrë me njerëz pa emër, mbetet një tjetër eksperiment që mban firmën e zotit Basha.
Prej afro 6 vitesh ai është de jure kryetari i Partisë Demokratike, dhe asnjëherë nuk e kuptoi se atje ai është pa konkurent, pa garë dinjitoze, ai asnjëherë nuk e kuptoi sa dëme i ka sjellë një partie që në themel të saj ka lirinë dhe demokracinë, thithjen e elitës intelektuale, dhe si busull drejtimi funksionimin e demokracisë amerikane.
Ai kurrë nuk e kuptoi se, me veprimet e sulmet e tij ndaj SHBA, dhe ambasadorit Lu, kreu një tjetër eksperiment banal, ndaj një partneri stradegjik të Shqipërisë, që qysh në fillimet e demokracisë kanë qenë dhe janë në krahun e shqiptarëve.
Mungesa e një grupimi dhe mendimi të pjekur politikisht, larg frikës dhe hijeve të së shkuarës, e ka kthyer PD prej vitesh në parti ku Lulzim Basha dhe shpura e tij e skandaleve, mund të bëjnë eksperimente politike, strukturore, programore, njerëzore, financiare, duke e zhytur atë forcë politike në krizë të thellë besimi e mendimi.
Kjo e ka detyruar bazën e asaj partie, dhe pjesën e larguar , ta konsiderojnë lidershipin e saj, si dashakeqës dhe fatkeqësi të degradimit politik të partisë.
Mungesa e përgjegjshmërisë qytetare, politike dhe intelektuale, eksperimentimi me imagjinata , ide dhe dëshira kafenesh, kanë hapur shpesh shtegun e ndarjes fatale të PD, duke treguar entuziazmin dhe dakortësinë e kryetarit dhe mbështetësve të tij.
Ndoshta i lodhur nga eksperimentet dhe dështimet , Lulzimi më në fund, i gjendur edhe pa mbështetjen e Doktorit tashmë, do ta ketë shansin të jetë dinjitoz të paktën ditën e largimit, duke marrë pas vehtes edhe këshilltarët e tij.