Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i ka bërë thirrje të forta pushtetit vendor në Shkodër, të lërë llafet dhe propagandën politike dhe të marrë masat për të shpërndarë ushqimet për banorët e përmbytur.
“I bëjmë thirrje pushtetit vendor dhe administratorëve lokalë, të lënë llafet e propagandën boshe të politikës ndarëse të ditës, dhe të marrin masat për koordinim in e shpërndarjes, në bazë të nevojave, pa dallim, për të gjithë banorët në zonat e rrethuara nga uji. Forcat e Armatosura po punojnë natë e ditë për shpërndarjen e ndihmave, sipas planifikimit të Komisionit të Emergjencave përmes Prefekturës dhe strukturave vendore. Bashkëpunimi mes forcave të ushtrisë, institucioneve të qeverisë dhe pushtetit vendor është detyrimi ynë i përbashkët, dhe vendosja e qytetarëve në qendër të përpjekjeve të përbashkëta, është nderi i çdokujt që paguhet nga taksat e tyre!”- tha Xhaçka.
Ndërkohe sot, sipërfaqja e përmbytur në bashkinë Shkodër aktualisht është 4 888 ha, nga të cilat 2320 ha të mbjella me jonxhe dhe 600 efektive FA te angazhuar në Shkodër që prej 5 Marsit.
Deri më tani, 26 familje janë evakuuar, 2 mijë banorë janë lehtësuar me transportin e përditshëm. Janë evakuuar e po trajtohen me bazë ushqimore 2 500 krerë bagëti.
Ministria bën me dije se prej saj dhe Rezervave te Shtetit janë shpërndarë mbi 30 mijë kg ushqime e detergjentë, 23 mijë litra ujë e më shumë se 53 mijë kg koncentrat.
“300 ton koncentrat e qindra ton ujë pritet të shpërndahen ditë pas dite. Nga Rezervat e Shtetit janë shpërndarë pako ushqimore, shtretër, çadra, batanije e çizme për banorët në vështirësi”- njofton MM.