Nga Alfred Peza
Ka pësuar një trajektore të tmerrshme, aksioni opozitar përgjatë 6 muajve të parë, të vitit 2019 në Shqipëri. Një trajektore që u tha plot entuziazëm se do të niste si një uragan në formën e një “revolucioni popullor”, për të fshirë nga pushteti Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Por që shteroi dita ditës. Java javës. E muaj pas muaji. Për të vijuar me disa ish deputetë e kryetar partie nëpër qytete të ndryshme. Derisa me këto ritme, më 30 Qershor, do të përfundojë vetëm me “katërshen” e lidershipit opozitar.
Kjo kurbë në vend që të vinte çdo ditë e më shumë në rritje, erdhi hap pas hapi, gjithmonë vetëm në rënie. Entuziazmi nga elita politike e “Opozitës së Bashkuar” në vend që të përhapej si një “sëmundje ngjitëse” pa u ndalur kudo derisa të pushtonte Shqipërinë, erdhi gjithmonë e pa u ndalur, duke u izoluar.
Në vend të frymës së pandalshme të ndryshimit që sjell një kauzë e drejtë dhe një aksion opozitar me mbështetje popullore, ajo erdhi mënyrë të pandalshme në rënie, derisa u tentua që të kompensohej me cilësinë e dhunës mbi institucionet dhe punonjësit e rendit.
Vendin e qytetarëve të thjeshtë, e zunë militantët dhe administrate e bashkive të drejtuara nga opozita. Vendin e revoltës popullore të pretenduar dhe të premtuar nga liderët e opozitës së rrugës, e zunë flakët e bombave Molotov dhe të gjitha elementët e tjerë të gjuhës së rrugës. Vendin e dialogut pa kushte, po e zinte dhuna pa cak e pa limit. Vendin e logjikës dhe arsyes, po e zinte barbaria dhe çmenduria.
E kur e kuptuan se as “djegia e mandateve”, as dalja nga Parlamenti dhe sistemi politik i vendit, as mosfutja në zgjedhje dhe as ultimatumi: “Ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita”, nuk u bëri punë për të arritur qëllimin për ta fituar pushtetin në tavolinë dhe për të zhbërë reformën në drejtësi, futën në lojë Presidentin e Republikës.
As “çdekretimi” i datës së zgjedhjeve në shkelje të hapur të Kushtetutës nga Ilir Meta e as mosdekretimi i një date të re zgjedhjesh brenda afatit ligjor, nuk i vijnë dot në ndihmë skenarit të opozitës së rrugës, për të bllokuar për herë të parë në historinë e njerëzimit, një popull që të ushtrojë të drejtën e tij natyrore, legjitime dhe universale për të zgjedhur e për tu zgjedhur.
Sa më shumë që do ti afrohemi 30 Qershorit, aq më shumë do të dallojmë tri tendenca themelore, në jetën politike të opozitës:
Së pari, çmenduria e akuzave, deklaratave, sjelljeve, vendimeve dhe veprimeve të lidershipit të dëshpëruar opozitar, sa do vijnë e do shtohen në sasi dhe cilësi.
Së dyti, Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi këto dy javë, do vijojnë të mbesin gjithmonë e më të veçuar, gjithmonë e më të abandonuar e në fund gjithmonë e më të vetmuar, në aventurën e çmendur politike për ta nxjerrë popullin opozitar tërësisht jashtë sistemit politik e demokratik të vendit dhe për ta penguar popullin shqiptar për të shkuar në zgjedhje.
Së treti, gjithmonë e më shumë opozitarë normalë, njerëz me integritet dhe qytetarë të thjeshtë të këtij vendi që kanë besuar tek PD, LSI dhe aletatët e tyrë këto 30 vjet, do të frenohet sa më shumë i afrohemi 30 Qershorit, për të mos u hedhur në greminën ku është nisur që të vetsakrifikohet lidershipi i tyre. Sepse ata çdo ditë e më tepër po e kuptojnë se halli personal i “katërshes” nuk është edhe halli i opozitarëve. Aq më pak i gjithë shqiptarëve. Ndaj, askush me dy pare’ mend në kokë, nuk mund ta çojë pjesën tjetër të jetës dëm, për tu dergjur burgjeve dhe i izoluar brenda Shqipërisë, pa patur përjetësisht mundësi të udhëtojë më drejt SHBA-së dhe BE-së, sepse ashtu u thonë ca udhëheqës politikë të dëshpëruar.
Ndaj është kjo arësyeja se përse nga “revolucioni popullor” i janarit e shkurtit, sot opozita e rrugës ka përfunduar duke u mbështetur, vetëm tek “çunat e Metës” në Presidencë dhe “çunat e Lulit” në Elbasan, Korçë a gjetkë. Derisa më 30 Qershor pasi të mbyllen kutitë e votimit në gjithë Shqipërinë, të mbesin vetëm: Saliu, Iliri, Luli e Mona.