Meta u thotë amerikanëve dhe europianëve se sa të jetë ai në krye të shtetit do të ketë zgjedhje dhe jo votime. Departamenti i Shtetit shprehet se po merren me pasojat e këtij njoftimi
Ndërkohë që i kujton vendit më demokratik të botës se, nëse kërkon të bëjë votime, të shkojë diku nga Koreja e Veriut, pasi Shqipëria e ka mbyllur më 1990 këtë proces.
“Nëse ka ndonjë europian dhe amerikan që do të monitorojë zgjedhje të tilla, le të shkojë në Korenë e Veriut, këtu jo se ka ardhur pluralizimi politik”, tha Meta.
Aq i acaruar ka qënë Meta me amerikanët, sa u ka kujtuar dhe njëherë se ai nuk ka frikë nga askush dhe këtë e dinte dhe ish ambasadori Donald Lu, duke lënë për të kuptuar se ai nuk hante presion as duke i përmendur burgun përmes SPAK.
Por i menjëhershëm ka qënë reagimi nga SHBA, ku i ka kujtuar Metës se po merren me pasojat që i ka shkaktuar vendit e shtetit ligjor këto kohët e fundit, për të cilat duhet të mbajë përgjegjësi.
Dhe përgjigjen SHBA e ka dhënë të hidhur, përmes DASH pikërisht tek “Zëri Amerikës”.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i pyetur nga “VOA” lidhur me vendimin e presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, tha se Departamenti i Shtetit është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri e po mban kontakt me aktorët përkatës lidhur me ndikimet dhe pasojat ligjore të njoftimit të presidentit.
Pasi e ka kërcënuar se ata që kanë sjellë pasoja për të ardhmen e Shqipërisë do të mbajnë përgjegjësi, DASH nuk kalon pa injoruar zhdekretimin e zgjedhjeve nga Presidenti, duke e cilësuar njoftim, të barabartë me emërtesën “nul”.
Departamenti i Shtetit, tha zëdhënësi, do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër.
Lidhur me gjendjen politike në Shqipëri, zëdhënësi tha se qëndrimi i Uashingtonit mbetet i njejtë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin konfrontimet dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për të ardhmen e Shqipërisë.
Partitë e opozitës, tha zëdhënësi, duhet të gjejnë një rrugë për të hapur dialogun me qeverinë rreth reformës elektorale./Pamfleti/