Të shtunën opozita do të zhvillojë protestën e saj të tetë, e cila pritet të vijë ndryshe. Deri më tani kemi parë flakadanë, bomba molotov, fishekzjarrë, gurë, kapsolle dhe shumë forma protestimi, por burime të gazetës thanë se PD e LSI janë duke menduar të sjellin një protestë akoma dhe më ndryshe.
Sinjalet janë se do kemi sërish dhunë dhe plani i opozitës është të zënë në befasi policinë.
Sipas informacioneve, Basha e Kryemadhi ja u kanë bërë të ditur krerëve të degëve se duhet të mblidhen sa më shumë njerëz, ndërsa nuk i kanë informuar mbi atë se çfarë do të ndodhë realisht. Sipas tyre, këtë herë skema do të jetë sekrete, në mënyrë që të mos rrjedhë informacion dhe policia të marrë masa. Pra, i gjithë plani është që policia të kapet në befasi. PD e LSI e kanë bërë të qartë se do të ketë dhunë dhe tensione.
Përgjimet e gazetës gjermane “Bild” do të përdoren si justifikim në mënyrë që të sulmohet Kryeministria dhe Parlamenti. Deri më tani skenarët kanë qenë të lexueshëm, pasi para Kryeministrisë situata ka qenë e qetë, ndërsa tensionet janë zhvilluar para Parlamenti.
Këtë herë thuhet se do ketë diçka ndryshe, e cila do bëhet e ditur më 8 qershor. Por pavarësisht kësaj, gazeta ka mësuar se policia ka marrë të gjitha masat për të mos lejuar ndërhyrje në institucione. Kryeministria, Ministra e Brendshme dhe Kuvendi do rrethohen me gardh metalik.
Pritet që të angazhohen më shumë forca policie se zakonisht, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që dhe këtë herë të përdoren makinat me ujë për të shpërndarë turmën.
Burime nga policia i thanë gazetës, se nëse përdoren mjete që rrezikojnë jetën e efektivëve, atëherë përveç gazit lotsjellës, do vihen në lëvizje dhe makinat me ujë, sikundër ndodhi kur u përdorën bomba molotov. Degët janë udhëzuar të sjellin sa më shumë njerëz në shesh, në mënyrë që të tregohet se shumica e shqiptarëve janë me opozitën.
Skenarët rusë
Ashtu siç ka ndodhur deri më tani, edhe këtë të shtunë opozita do protestojë në të njëjtën kohë me opozitën serbe. Ndërkohë, gazeta ka mësuar se në ditët në vijim bashkëpunimi do forcohet akoma dhe më shumë, pasi ashtu si në Beograd, edhe në Tiranë mund të ketë protesta të përjavshme.
Nga mënyra se si po rrjedhin ngjarjet, shtohen dyshimet nga dita në ditë se kjo gjë i shërben vetëm Rusisë. Ballkani është mbërthyer nga protestat dhe çdo skenar destabilizimi është në të mirë të vendeve që nuk na duan. Vetë kreu i NATO gjatë vizitës në Tiranë nuk e pohoi, por as nuk e mohoi se pas opozitës shqiptare fshihet Moska. Por burime të gazetës thanë se vizita e tij kishte të bënte me ndikimin rus.
Ai nuk e kishte planifikuar vizitën në venin tonë dhe erdhi për shkak të trazirave që po krijohen, duke ja bërë të qartë opozitës se nuk duhet të ketë dhunë. Po ashtu dhe shtete të tjera si SHBA, Gjermania, BE, Italia OSBE dhe shumë organizata ndërkombëtare janë shprehur kategorike kundër dhunës dhe skenarëve destabilizues. Pas bombave molotov, Basha nisi të tërhiqej, por tani e ka marrë në dorë Berisha situatën.
Ndaj tij ka pasur gjithmonë akuza se i shërben Serbisë dhe Rusisë. Një ish-zyrtari i FBI e ka pohuar diçka të tillë, ndërsa vetë Berisha e pranoi se raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein, në një takim me shoqërinë civile kishte deklaruar se Berisha i shërben Moskës.
Fakti që kemi shumë zëra, kemi koordinim me serbët dhe po ashtu PD ka pasur lidhje me rusët për lobimet në SHBA, tregon se kjo mund të jetë dorë e Moskës.