Zv/kryeministri Erion Braçe, deklaroi në emisionin Open të Eni Vasilit se përgjimet e publikuara janë punë e përditshme e prokurorisë, por dikush ka bërë biznes personal me dosjen.
“Askush nuk ka hetuar. Kjo dosje ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga Policia e Shtetit nën qeverinë e PS-së dhe LSI-së në policinë e Kavajës dhe më pas në prokurorinë e Kavajës e më pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Hetimin e kemi nisur ne për aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike.
Ajo që është publikuar deri tani nuk është i përfshirë në trafik droge asnjë nga zyrtarët e PS-së, as Vangjush Dako e as kryebashkiaku i Shijakut”, tha Braçe.
“Ne po bëjmë punën e prokurorit që ka bërë biznes, nëse më kërkoni mua mendimin tim të zbatohet dosja për secilin. Nëse ka një gjë që nuk ka ndodhur deri tani është hetimi”, tha Braçe.
I pyetur nga moderatorja në lidhje me përgjegjësinë politike të mazhorancës, Braçe është nxehur dhe ka sulmuar prokurorët, të cilët, sipas tij, kanë prodhuar CD mbi dosjen 339 dhe i kanë mbajtur në xhep për t’u mbrojtur nga hetimi.