Shqipëria shumë shpejt mund të mbetet pa Gjykatë Kushtetuese. Nëse Komisioni i Pavarur i Apelimit, organi i shkallës së parë i Vettingut, vendos ditën e premte përjashtimin nga drejtësia të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, për shkak të mosjustifikimit me dokumentacion ligjor të pasurisë së deklaruar, Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë më asnjë vendim.
Me dorëheqjen e anëtarit tjetër Besnik Imeraj, po për shkak të Vetingut, Gjykata Kushtetuese ka mbetur me pesë anëtarë me mandat të plotë, aq sa duhet shumica e domosdoshme për të marrë një vendim. Kushtetuesja përbëhet nga nëntë anëtarë dhe që një vendim të jetë i vlefshëm, duhet të votohet nga pesë anëtarë pro.
Por, nëse organet e Vettingut vendosin të ndëshkojnë anëtarin tjetër Fatos Lulon, siç edhe u dhanë disa sinjale në seancën e sotme dëgjimore, Gjykata Kushtetuese mbetet me katër anëtarë dhe për pasojë as nuk mund të mblidhet më dhe as nuk mund të marrë vendim. Ndërkaq, me vijimin e procesit të Vetingut një fat të tillë mund ta këtë edhe Gjykata e Lartë, anëtarët e së cilët kanë deklaruar pasuri marramendëse në vite të ndryshme kalendarike.
Mundësia e boshatisjes së gjykatave dhe prokurorive nga gjyqtarët dhe prokurorët për shkak të procesit të Vetingut është paralajmëruar dy vjet më parë nga përfaqësuesit ndërkombëtar, por ende nuk është marrë asnjë masë për të parandaluar në kolaps të përgjithshëm.
Skenari
Nëse Komisioni i Pavarur i Apelimit vendos shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, vendimi nuk është përfundimtar, por megjithatë, subjekti nuk mund të marrë më pjesë në mbledhjet e Gjykatës Kushtetuese. Edhe subjekti ka të drejtë që të ankimojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Apelimit në Kolegjin e Apelimit, ai nuk mund të ushtrojë detyrën. Neni 62 i ligjit të Vetingut parashikon që subjekti i rivlerësimit, i cili ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit të Komisionit për masën disiplinore për shkarkimin nga detyra, pezullohet nga detyra e tij në pritje të vendimit të Kolegjit të Apelimeve. Gjatë periudhës së pezullimit atij i njihet e drejta e pagës në masën 75 për qind të saj.
Zëvendësimi
Ka një debat sa i takon mundësisë së plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të hapë procedurën e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Por, me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë Vetingun. Por, organet e Vetingut kanë përparësi të tjera dhe jo kandidatët që kanë aplikuar për dy vende bosh në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq, emrat e kandidatëve do të kalojnë nga KED, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Më pas, Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar.
Bllokimi
Nëse Komisioni i Pavarur i Apelimit vendos ditën e premte përjashtimin nga drejtësia të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë më asnjë vendim.
Ngërçi
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të hapë procedurën e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Por, me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë Vetingun. /Shqiptarja.com