Analisti Afrim Krasniqi ishte i ftuar në “Ditarin” e orës 19:00, në TV “A2 CNN”, ku foli për publikimet e gazetës gjermane “Bild”, të përgjimeve mes kreut të grupit kriminal të Avdylajve, me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Krasniqi u shpreh se këto publikime kanë ardhur si dhuratë për opozitën.
“Materialet e publikuara nga “Bild” janë si një dhuratë. Opozita kishte nevojë për një kauzë konkrete për shkak se ka paralajmëruar një protestë më 8 qershor, ndërkohë që vendi është në fushatë elektorale. Kjo është një dosje që fle prej 2 vitesh. Ky është një skenar që është zbatuar edhe në vende të tjera.
Për sa kohë që pushtetet dhe grupe të caktuara kontrollojnë mediat, atëherë është gjetur një mekanizëm dhe ky ka qenë një media perëndimore. I njëjti skenar po ndodh dhe tani”,- tha Krasniqi.
Më tej, Krasniqi u shpreh se në Durrës ka grupe të tjerë edhe më të fuqishëm se Avdylajt, të cilët, sipas tij, kontrollojnë zonën bregdetare të vendit dhe kanë emëruar edhe deputetë e kanë drejtuar parti politike.
“Për ne në Tiranë duket lajm, por nëse shkoni në Durrës çdo qytetar i ka ditur këto gjëra edhe më përpara. Madje, ky nuk është grupi kryesor që ka ndikuar në zgjedhje. Janë grupe të tjera të njohura në Durrës që kanë pasur rol edhe më të madh në zgjedhjet lokale dhe parlamentare.
Janë lidhje që kanë ekzistuar gjithmonë. Janë individë që kanë vendosur drejtues në të gjitha institucionet, kanë emëruar deputetë, kanë emëruar kryetarë bashkie, kanë drejtuar parti politike, kanë mbajtur kontrollin e jo vetëm një partie, por shumë partish politike dhe kanë vite që kontrollojnë zonën bregdetare të Shqipërisë, përfshirë edhe zonën e Durrësit”,- u shpreh analisti Afrim Krasniqi.